
Seria e përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës që ka filluar të publikohet në Insajderi, përmes së cilave dëshmohet kontrolli i kësaj partie ndaj institucioneve të pavarura të vendit, ka nxitur qytetarët që të vazhdojnë mobilizimin për protestën e thirrur për të premten.
Organizatorët e protestës janë një numër qytetarësh të cilët përmes një kumtese për media kanë thënë se përmes kësaj protestë presin që “të gjithë të përfshirët në këto skandale të japin përgjegjësi politike e institucionale.”
“Koha është që ne të protestojmë, jo pse nuk e dinim më parë atë që ndodhë, por se tani që gjithçka po shihet kaq hapur, është detyrë reagimi ynë qytetar”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Organizatorët po ashtu kanë thënë se e inkurajojmë Gazetën Online Insajderi në publikimin e përgjimeve të tjera “dhe u bëjmë thirrje të gjithë akterëve të përmbahen nga format e presionit ndaj këtij mediumi.”
Protesta mbahet nesër në ora 18 në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, nga ku protestuesit e mbledhur do të marshojnë drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe Presidencës.