Netanyahu akuzon Hamasin se është tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Netanyahu akuzon Hamasin se është tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit

    Insajderi
    16 January 2025 - 15:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi sot Hamasin se ishte tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë dhe tha se kabineti i tij nuk do të mblidhet për të dhënë miratimin e nevojshëm derisa grupi militant të pranojë të gjithë elementët e marrëveshjes.

    Përmes një deklarate, zyra e kryeministrit Netanyahu tha se Hamasi po përpiqej të “siguronte lëshime të minutës së fundit”.

    Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore.

    Armëpushimi me disa faza, që u njoftua të mërkurën pas negociatave për muaj të tërë, do të hyjë në fuqi të dielën nëse marrëveshja miratohet plotësisht.

    Ndërkohë sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 72 vetë që kur u njoftua marrëveshja, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gazë. Palestinezët atje njoftuan për sulme të ashpra gjatë natës ndërsa banorët po festonin arritjen e marrëveshjes.

    Agjencitë e OKB-së thanë se janë gati të dërgojnë ndihma humanitare në rajon. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1.9 milionë nga 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur dhe 92 për qind e banesave janë shkatërruar.

    Presidenti izraelit Isaac Herzog ofroi mbështetjen e tij të fortë për armëpushimin pas shpalljes së marrëveshjes të mërkurën.

    Por një nga kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes në qeveri, ministri i Financave Bezalel Smotrich, e cilësoi atë “një marrëveshje të keqe dhe të rrezikshme për sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit”. /VOA


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark