Netanyahu: Do të luftojmë deri në fitore, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Netanyahu: Do të luftojmë deri në fitore, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare

    Insajderi
    13 December 2023 - 23:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të mërkurën se ushtria izraelite do të vazhdojë të luftojë në Rripin e Gazës, megjithëse përballet me trysni ndërkombëtare për armëpushim.

    “Ne do të vazhdojmë deri në fund, deri të fitojmë, derisa ta zhdukim Hamasin”, iu drejtua Netanyahu ushtarëve izraelitë në Gazë përmes radios.

    E them këtë përballë presionit ndërkombëtar dhe dhimbjes së madhe. Asgjë nuk do të na ndalë”, shtoi ai.

    Izraeli njoftoi se të mërkurën i pësoi humbjet më të mëdha në betejë prej e nisi pushtimin e Gazës para një muaji, pasi 10 ushtarë iu vranë në një pritë në Gazë. Në mesin e të vdekurve ishin edhe koloneli Itzhak Ben Basat, 44 vjeç – i cili është oficeri më i lartë që vritet në pushtimin tokësor – dhe koloneli Tomer Grinberg, komandant batalioni.

    Shumica e tyre u vranë në rrethinën Shiaja në veri të Qytetit të Gazës, pasi trupat e saj ranë në pritë duke tentuar ta shpëtonin një grup ushtarësh që ishin sulmuar brenda një ndërtese nga luftëtarët e Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

    Ushtria izraelite i vazhdoi luftimet e ashpra në veri dhe jug të Gazës, një ditë pasi Kombet e Bashkuara kërkuan armëpushim të menjëhershëm humanitar.

    Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Izraeli është duke e humbur mbështetjen globale për shkak të bombardimit të pakujdesshëm të Rripit të Gazës dhe i bëri thirrje Netanyahut ta ndryshojë Qeverinë e tij.

    Izraeli kishte mbështetje globale kur e nisi fushatën për ta shkatërruar Hamasin, i cili e kontrollon Gazës, pasi luftëtarët e tij u futën furishëm në jug të Izraelit më 7 tetor dhe i vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen 240 të tjerë.

    Prej atëherë, Izraeli e ka rrethuar enklavën palestineze dhe e ka rrënuar shumicën e saj. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të mërkurën se mbi 18.600 palestinezë janë vrarë dhe rreth 50.000 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej 7 tetorit.

    Avionët luftarakë e bombarduan edhe të mërkurën Gazën dhe zyrtarët e organizatave humanitare thanë se shiu dimëror i ka përkeqësuar kushtet për qindra mijëra njerëz që detyrohen të flenë në tenda të improvizuara.

    Shumica dërrmuese e popullsisë prej 2.3 milionë në Gazë ka mbetur pastrehë. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark