Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se s’e ka në plan t’ia dorëzojë kontrollin Autoritetit Palestinez, duke thënë se organizata në fjalë kishte dështuar në çmilitarizimin e Gazës në të kaluarën.
Ai këtë e tha për mediumin amerikan CNN, duke thënë se prioriteti kryesor i Izraelit është shkatërrimi i Hamasit, përcjell Gazeta Insajderi.
Netanyahu shtoi duke thënë se pasi të arrihet kjo, atëherë duhet të ketë “një mbizotërim ushtarak izraelit”, për të shmangur ringjalljen e terrorizmit.
“Autoriteti civil duhet të bashkëpunojë për dy qëllime; njëri është çmilitarizimi i Gazës dhe i dyti është deradikalizimi i Gazës”, tha ai.
“Dhe më duhet të them se Autoriteti Palestinez ka dështuar për fat të keq në të dyja pikat”.
Çfarë ndodh me Gazën pas konfliktit është një pyetje e madhe e hapur. Këtë javë, SHBA-ja përmendi mundësinë që Autoriteti Palestinez të marrë rolin e mbikëqyrjes. /Insajderi.org/