Pas afër tri orësh, ka përfunduar takimi i minatorëve me Sindikatën e Pavarur të Minatorëve, pas situatës së krijuar për mosekzekutim të pagave.
Minatorët u shprehën kategorikisht kundër nisjes së punës pa u ekzekutuar pagat, ndërsa nga menaxhmenti u premtua një zgjidhje ditëve në vazhdim.
Bashkim Kurti, kryeshef i ndërmarrjes Trepça, tha se e kemi marrë shumë seriozisht çështjen e Trepçës, dhe për të dalë nga kjo situatë duhet bashkëpunimi i dy palëve.
“Po besoj se bëjmë zgjidhje, meqenëse e kanë marrë shumë seriozisht çështjen që jemi ne si Trepçë por me dalë nga kjo situatë duhet bashkëpunimi i dy palëve. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar, ju kryeni punën e juaj e ne e kryejmë punën tonë”.
“Si menaxhment e kemi bërë të pamundurën për me dalë prej situatës në të cilën jemi. Askujt nuk i konvenon kjo situatë sepse sot jemi në ditën e 23-të, mesatarisht me 250 ton xehe është dashur me dal mbi 9 mijë ton xehe e që kur i konverton në para, atëherë pagat tona i kishim kryer sot”, u shpreh Kurti, teksa shkaktoi irritim tek punëtorët.
“Por nuk po kryhen bre krye shef sepse plani afatgjatë është shumë i mirë”, u shpreh një minator. “Neve na duhen pagat, ose një premtim shumë të shpejtë, ekzekutohen pagat e ne kthehemi në punë”, u shpreh minatori.
Në fund, kryeshefi tha se gjatë ditës do të mbajë një takim me Bordin për të gjetur një zgjidhje.