
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se në krye të saj ka zgjedhur gjyqtarin Nexhmi Rexhepi.
Këtë e ka bërë të ditur faqja e Gjykatës Kushtetuese në llogarinë e saj në Facebook.
“Në Seancën Administrative të mbajtur më 10 dhjetor 2024, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kanë zgjedhur gjyqtarin, Nexhmi Rexhepi, Kryetar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës“, thuhet në njoftim.
Siç bën me dije gjykata, mandati i Kryetarit në ardhje të Gjykatës do të filloj më 31 dhjetor 2024, pasi që Kryetarja aktuale, Gresa Caka-Nimani, të përfundojë mandatin nëntëvjeçar (9) të paraparë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas përcaktimeve të paragrafit 2 të nenit 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës.