Neymar është gjithnjë e më afër rikthimit të madh në futboll pas mungesës së gjatë.
Ylli brazilian ishte lënduar në tetor të vitit 2023, më saktësisht para një viti, ndërsa i ishte dashur ta bënte një intervenim kirurgjik pas lëndimit në gju.
Sidoqoftë, ish-futbollisti i Santosit, Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit iu bashkua në stërvitje ekipit të tij, Al Hilal, duke e shfaqur entuziazmin e tij edhe përmes rrjeteve sociale.
“Jam kthyer. I lumtur që iu bashkova grupit. Gjithçka po shijoj tash”, shkroi përfaqësuesi brazilian, përcjell “Gazeta Express”.
Ndërkohë, trajneri i tij konfirmoi se rikthimi në fushën e blertë mund të ndodhë më së largu në janar të vitit 2025.
“Neymar është lojtar mjaft i rëndësishëm për ne dhe për ligën saudite në përgjithësi. Sidoqoftë, nuk mund ta specifikoj një datë fikse për rikthimin e tij. Ne duhet ta rishikojmë situatën në janar”, deklaroi ai.
Hera e fundit kur Neymar kishte zbritur në fushën e blertë ishte 17 tetori i vitit 2023 në kualifikimet jug-amerikane në ndeshje me Uruguain.
Aty e kishte pësuar një këputje të ligamenteve në gjurin e majtë.
Nga ajo kohë ai ka punuar fort në rehabilitimin dhe në përgatitjen për t’u rikthyer në fushën e blertë.