×
  • Lajme
  • Analiza

    Nga 5 mijë euro për secilën leje ndërtimi në Brezovicë – Këta janë tre zyrtarët e komunës që kontrolloheshin nga Braqe

    Insajderi
    12 December 2022 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndikimin e tij, si kryetar i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq e shtrinte tek tre zyrtarë të komunës në rastet kur kërkoheshin leje ndërtimi për villat në Brezovicë, në këmbim të parave. Derisa Braqe akuzohet se ka marrë mbi 1 milion euro ryshfet, tre zyrtarët e tij Dimitrije Recicevic, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq për çdo leje që lëshonin sipas prokurorisë merrnin nga 5 mijë euro

    Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq ka ushtruar ndikim tek dy drejtorët e tij.

    Sipas aktakuzës Drejtori i Kadastrit Sasa Milosavljevic dhe Drejtori i Urbanizimit Dimitrije Racecevic, janë udhëzuar nga ai për përgatitjen e dokumentacionit nga zyra kadastrale dhe lëshimin e lejeve nga drejtoria e Urbanizmit në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e parkut kombëtar Sharri në Brezovicë.

    Dimitrije Recicevic akuzohet për tri vepra penale, për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, posedim i paautorizuar i armëve.

    Lidhur me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, Recicevic akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, për lëshimin e dy lejeve ndërtimore, ka marrë një veturë “Shkoda Karavan” në vlerë prej 9 mijë euro në auto sallonin “Alberti” në Çagllavicë, të paguara nga personi përgjegjës i NN “Quka- CO”.

    Po ashtu, për këto veprime i akuzuari Recicevic, po akuzohet se ka kryer edhe veprën penale të “Marrjes së ryshfetit”, se ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëllim që të mos veprojë sipas detyrave të tij zyrtare.

    Sasha Milosavleviq, sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Insajderi, akuzohet nga Prokuroria e Ferizajit se nga fillimi i vitit 2010 deri në fund të vitit 2014, si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar para nga personi përgjegjës i NN “Quka-Co” që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

    Milosavleviq, sipas aktakuzës, për të lëshuar lejet ndërtimore kishte kërkuar shumën prej 10 mijë euro, për secilën leje ndërtimore. Në total sipas aktakuzës ai ka përfituar shumën e përgjithshme prej 70 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Milosavleviq, akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrjes së ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit”, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Kjo nuk është e gjitha. Pasi që ndaj tyre rëndojnë edhe veprat në bashkëkryerje.  

    Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq, që të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, po akuzohen për dy vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti në Bashkëkryerje.

    Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria të akuzuarit Recicevic, Bajramin dhe Milosavljeviq i akuzon se nga fillimi i vitit 2013 deri më 21 dhjetor 2021, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

    Të njëjtit sipas prokurorisë kanë mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore me qëllim të përfitimit pasuror nga investuesit, ku secili aplikim për leje mbikëqyrej nga ish-kryetari Bratislav Nikoliq.

    Nikoliq i njohur si Braqe akuzohet për 4 vepra penale lidhur me këtë rast të madh korrupsioni, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më tej në aktakuzë thuhet se tre të dyshuarit Revicevic, Bajrami dhe Miloslavijeviq nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive për ndërprerjen e punimeve të vikend-shtëpizave që ndërtoheshin pa leje.

    Sipas aktakuzës, dy ish-inspektorët Bajrami dhe Miloslavijeviq në bashkëveprim me drejtorin e Urbanizmit, kanë marrë para në shuma prej 5 mijë euro.

    Në total këta zyrtar akuzohen se i kanë marrë 14 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Quko Co”, në këmbim të lejimit të ndërtimit të 10 vikend-shtëpizave për persona fizik si dhe për 6 vikend-shtëpiza në lagjen “Kashtanjeva”.

    Në aktakuzë, thuhet se me këto ndërtime në Parkun Kombëtar “Sharri” është bërë degradimi i papërmirësueshëm i mjedisit dhe janë rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore në Parkun Kombëtar “Sharri“, zona e Brezovicës. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark