Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka gjobitur me 3.2 milionë euro Korporatën Energjetike të Kosovës.
Vendimi është marrë të premten, në seancën e IV-ët të Bordit për këtë vit.
“Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro për Korporatën Energjetike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE, shkruan Gazeta Insajderi.
Rregullatori për energji ende nuk ka treguar për arsyen e kësaj gjobe, por është zbuluar se gjoba ndaj KEK-ut erdhi pasi kjo ndërmarrje bëri tregti të energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuara.
Gazeta Insajderi merr vesh se KEK ka nënshkruar Kontratë Kornizë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrarne d.o.o” e cila nuk ka pasur licencë që i njihet në Kosovë.
Por, për këtë çështje del të jetë e painformuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nën menaxhimin e së cilës është Korporata Energjetike e Kosovës.
Ajo tha të hënën se nuk ka pranuar informacione zyrtare për gjobën që ZRRE-ja ia ka vendosur KEK-ut
“Unë nuk kam informata zyrtare për këtë, e kam parë vetëm nga mediat, andaj nuk mund të flas për këtë“, u shpreh Rizvanolli, shkruan Gazeta Insajderi.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, konsideron se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, do të duhej të kishte informacion se pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka gjobitur Korporatën Energjetike të Kosovës me 3.2 milionë euro.
Reagimi i saj vjen pasi Rizvanolli deklaroi se nuk ka informacione për këtë çështje. Kjo gjë sipas Bajramit “është shumë e keq dhe e pafalshme”.
Lexo edhe:
Çka po fshihet në KEK?
Dardan Molliqaj, kryetari i Partisë Socialdemokrate, pretendon që në KEK po fshihen edhe vepra të tjera.
Në reagimin e Molliqajt në Facebook, përmendet edhe gjoba e ZRRE-së ndaj KEK-ut, që sipas tij, duhet të jetë material shtesë për prokurorinë.
“KEK është gjobitur nga ZRRE me 3.2 milionë euro gjobë, sepse ka tregtuar energji elektrike me kompani që nuk janë të licensuara për operim në Kosovë. Pra KEK ka bërë tregti me një kompani ilegale. Kjo do të duhej të ishte material shtesë për prokurorinë. Sepse në këtë formë janë bërë një sërë shkeljesh duke dëmtuar kompanitë e licensuara”, ka shkruar Molliqaj, shkruan Gazeta Insajderi.
Më tej, ai ka drejtuar pyetje në drejtim të ZRRE-së, që sipas tij, nëse marrin përgjigje do të zbardhin më shumë korrupsionin në sektorin e energjisë.
“Ne kemi drejtuar pyetje ndaj ZRRE për këto çështje: Pse janë përzgjedhur kompani të palicensuara për të tregtuar energji? Sa është sasia e tregtuar e energjisë me kompanitë e palicensuara? Sa është kostoja financiare e këtij tregtimi? Kush janë kompanitë e palicensuara me të cilat KEK ka tregtuar energji?”
“Këto çështje dhe të tjera që kemi ngritur do ta zbardhin edhe më shumë korrupsionin dhe keqmenaxhimin e theksuar në këtë sektor”, përfundon shkrimi i tij, shkruan Gazeta Insajderi.
Këtyre pyetjeve nuk i është përgjigjur as kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Ai ka thënë se do ta publikojnë raportin për vendimin e marra ndaj KEK-ut, për ta gjobitur me 3.2 milion euro.
Lexo edhe:
Dosja e Tenderëve në KEK – Për 5 muaj u kontraktuan 61 tenderë me procedurë të negociuar
Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi është duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit pasi ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Krasniqi po hetohet për tri vepra penale të cilat ndërlidhen me korrupsion.
Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litëin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.
Lidhur me këtë, KEK’u përmes një komunikatë për media ka thënë se nuk ka paguar asnjë cent për këtë kontratë pasi që e njëjta është anuluar.
Përpos saj, për pesë muaj – Autoriteti kontraktues ka kontraktuar në procedurë të negociuar rreth 60 tenderë që shumica prej tyre kapin shifra milionëshe. Vlera totale e tyre arrin 76 milionë e 170 mijë e 066.38 euro. Ndërsa tenderi më çmim me të lartë është 55 milionë euro dhe ka të bëjë me modernizimin e turbinave B1 dhe B2, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe:
5 muaj – 61 tenderë me procedurë të negociuar
Tenderi më i madh një burim peshon 55 milionë euro dhe ka të bëjë me modernizimin e turbinave B1 dhe B2, shkruan Gazeta Insajderi.
Tek rubrika përshkim thuhet se tenderi është i nevojshëm për “Shërbimet e instalimit të gjeneratorëve me avull, turbinave, kompresorëve dhe aparateve djegëse”
Tender për transportin e punëtorëve të KEK’ut
Në procedurë të negociuar është dhënë edhe tenderi për Shërbimet e transportit publik me autobus që kap vlerën 18 mijë euro. Ky tender është dhënë për transportin e punëtorëve te KEK-ut relacioni Skenderaj-Drenas dhe anasjelltas për muajin dhjetor.
Sipas, Kenan Gashit, drejtor në Avonet – këtu është bërë shkelje e Ligjit të Prokurimit sepse kjo procedurë është dashur të shkoj në mënyrë të hapur.
Procedura e negociuar sipas Nenit 35, të Ligjit të Prokurimit përdoret vetëm në rast të emergjencave ekstreme, shkruan Gazeta Insajderi.
“Pesë muajt e fundit, autoriteti kontraktues ka zhvilluar afër 60 aktivitet të prokurimit në formë të negociuar, që I bie disa nga këto aktivitete, janë çmime që mund të kryhen nga shumë operator të Kosovës. Këto aktivitet është dashur të zhvillohen në mënyrë të hapur. Pra del që ky institucion ka shkelur ligjin e prokurimit që dyshojmë se është në kundërshtim me kodin penal”, ka thënë ai.
Cilat janë shkeljet që ka bërë Autoriteti Kontraktues
Korporata Energjetike e Kosovës ka zhvilluar aktivitet të prokurimit në formë të negociuar të cilat posedojnë shifra të larta deri në miliona. Kjo përbën shkelje të ligjit të prokurimit sepse sipas, Gashit, Autoriteti kontraktues është dashur që për këto të zhvilloj aktivitete në procedurë të hapur.
“KEK- u ka zhvilluar aktivitete të prokurimit në formë të negociuar dhe shumica e aktiviteteve të prokurimit posedojnë vlera të larta që është në kundërshtim me ligjin e prokurimit dhe kjo ka shkaktuar një shkelje të rëndë dhe nga kjo arsye institucioni i autoriteti kontraktues është dashur të zhvilloj aktivitet në procedura të hapur sepse shumë shërbime dhe kontrata është dashur të zhvillohen përmes aktiviteti të hapur. Nga kjo është shkelur procedura e autoritet kontraktues që është penalizuar me kodin penal të Republikës së Kosovës, tha ai për Insajderin.
Kontrata tjetër që u dha pa negocim e që ka të bëjë me dizajnin, furnizimin dhe kryerjen e punëve lidhur me dilatimet e kaldajave B1 dhe B2 në TC Kosova B, kap shifrën e mbi 15 milionë eurove.
Pa publikim të kontratës u dhanë edhe 8.4 milionë euro të tjera për riparimin kapital të një kaldajeje dhe 2.2 milionë të tjera për prodhimin, liferimin në lidhje me dilatimet e kaldajës B1 dhe B2.
Krejt këto aktivitete të prokurimit janë zhvilluar në procedurë të mbyllur, e cila sipas Nenit 35, të Ligjit të Prokurimit përdoret vetëm në rast të emergjencave ekstreme, shkruan Gazeta Insajderi.
Për çka dyshohet kryeshefi i KEK’ut, Nagip Krasniqi
Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Ai dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, Ushtrimi i ndikimit’’ si dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’.
I dyshuar për tri vepra penale të cilat ndërlidhen me korrupsion dhe në paraburgim, Nagip Krasniqi vazhdon të qëndrojë zyrtarisht kryeshef i KEK-ut.
Arrestimi i Nagip Krasniqit është bërë pas bastisjeve në zyrën e tij, në KEK dhe në dy banesat e tij në lokacione të ndryshme.
Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litëin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.
Nagip Krasniqi u emërua kryeshef i KEK-ut gjatë muajit tetor në vitin 2021. Para se ta merrte këtë pozitë, ai e kishte udhëhequr Komitetin për Energjinë në Lëvizjen Vetëvendosje.