×
  • Lajme
  • Analiza

    Nga atentati kundër Rugovës, deri tek ai ndaj Abdixhikut dhe vrasjet e zyrtarëve të LDK-së

    Insajderi
    19 January 2023 - 11:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Atentati i mundshëm kundër Lumir Abdixhikut dhe tre deputetëve të tij nuk është i pari për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Atentateve u kishte shpëtuar edhe presidenti historik Ibrahim Rugova, por jo edhe shumë bashkëpunëtorë të tij që ishin vrarë para dhe pas luftës.

    Gazeta Insajderi

    Nga atentati kundër Rugovës, deri tek ai ndaj Abdixhikut dhe vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të LDK-së

    Pasditen e së mërkurës u raportua për një atentat të mundshëm ndaj Lumir Abdixhikut, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe tre deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hotit, Armend Zemajt dhe Arben Gashit.

    Lajmin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.

    “Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

    Burimet e Gazeta Insajderi tregojnë se kërcënimi kundër Abdixhikut dhe vartësve të tij u zbulua nga Shërbimi Sekret i Gjermanisë (BND).

    BND-ja gjermane ka rënë në gjurmë të atentatorëve të cilët po planifikonin një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie.

    Po ashtu, këto burime thonë se organet e Gjermanisë kanë njoftuar Policinë e Kosovës për këtë rast.

    Atentati kundër Ibrahim Rugovës

    Në mars bëhen 18 vjet nga atentati kundër Ibrahim Rugovës, presidentit historik të Kosovës.

    Gjithçka kishte ndodhur më 15 marsit të vitit 2005, derisa eskorta e Rugovës, po bënte rrugën e zakonshme nga rezidenca në Velani drejt ndërtesës së Kuvendit ku gjendej Zyra e Presidentit.

    Rreth orës 8:20 të mëngjesit ishte dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në rrugën “Ramiz Sadiku” mbrapa Teatrit Kombëtar, shpërthim ky nga i cili kishte shpëtuar presidenti Rugova.

    Por, ky nuk ishte atentati i parë kundër tij. Një vit më herët më 2004, rezidenca e presidentit të parë të Kosovës, ishte gjuajtur me bombë. Edhte atëherë, Rugova dhe familja e tij kishin shpëtuar, shkruan Gazeta Insajderi.

    Menjëherë pas luftës cak i atentateve nuk ishte vetëm prijësi i LDK-së, por edhe vartësit e tij.

    Ishin provuar të vriteshin, Ismet Arifi, më 3 nëntor 1999; Nezir Gara, i cili pësoi sulm të rëndë fizik, por i shpëtoi vrasjes më 25 shtator 1999.

    Derisa vetëm gjatë vitit 2000, u shpëtuan atentateve tre zyrtarë tjerë të LDK-së. Ish-deputeti, Adem Salihaj, i shpëtoi atentatit ndaj tij në qershor të vitit 2000. Dy muaj më vonë u provua të vritej ish-kryetari i i Podujevës, Agim Veliu, e më vonë edhe Ejup Visoka, derisa Gani Geci u plagos më 19 tetor 2001, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vrasjet e zyrtarëve të LDK-së që nuk u zbardhën asnjëherë

    Për vrasjet e anëtarëve të LDK-së, kryesisht dëgjojmë nëpër përvjetorë apo edhe gjatë fushatave elektorale kur përplasen kundërshtarët politikë nga “krahu i paqes” dhe “krahu i luftës”, si dhe kur jepen premtime se ato do të zbardhen.

    Kur është fjala te vrasjet që cilësohen të natyrës politike, paslufta kryesisht dominohet me eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, pjesëtarëve të LDK-së, apo edhe të FARK-ut një formacion rival i krahut tjetër UÇK-së gjatë fundit të viteve ’90, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gjithçka kishte filluar me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, më 21 shtator të vitit 1998, në Tiranë. Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në ekzil u vra në një atentat në mes të kryeqytetit shqiptar. Meqë vrasja u krye jashtë Kosovës, ishin zgjeruar edhe kufijtë e dyshimeve.

    Madje, edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për vrasjen e kolonelit kosovar kishte akuzuar shërbimin sekret të Shqipërisë. Vrasja nuk është zbuluar kurrë, për më tepër ajo shpesh është subjekt i polemikave ndërmjet partive politike.

    Më 11 janar 1999 në Prishtinë ishte vrarë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Vrasja e tij ishte kryer para banesës së tij dhe para fëmijëve të tij, në lagjen “Kodra e Diellit”. Drejtuesit të Qendrës Informative të Kosovës, që u vra gjatë luftës asnjëherë nuk i janë gjetur atentatorët.

    Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Ne vendin e ngjarjes kishte pasur dëshmitarë që kishin thënë se atentatorët kishin ardhur nga shkallët e ndërtesës, para së cilës u vra ai. Megjithatë, edhe vrasja e Mustafës hyn në ato që nuk u zbardhën asnjëherë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës e i Degës së LDK-së në Klinë, derisa po kthehej nga puna. Për këtë vrasje kishte folur edhe Presidenti Rugova, i cili kishte thënë se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitoren e LDK-së në vitin 2000.

    Më 17 janar 2002, ishte vrarë edhe deputeti Smajl Hajdaraj. Edhe kjo vrasje, sikur të tjerat, u krye në pritë, para banesës së Hajdarajt, në një errësirë të plotë dhe me ikjen e atentatorëve, që asnjëherë s’janë zbuluar.

    Më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi kryetar i komunës së Therandës dhe i degës së LDK-së në këtë komunë.

    Më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e Ekrem Rexhës, komandant Drinit. Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark