
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e kryesuesit Ardian Hajdaraj, ka mbajtur mbledhjen e radhës ku u miratuan një sërë vendimesh me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejmë të sistemit prokurorial në vend.
Në këtë takim u miratuan procesverbalet e takimeve të 270-të dhe 271-të të Këshillit, ndërsa theksi u vendos tek miratimi i Udhëzimit Administrativ për caktimin e normës orientuese për prokurorët e shtetit, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Po ashtu, KPK miratoi Rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit Prokurorial me dy ndryshime, raportin për avancimin e disa prokurorëve në Prokurorinë e Apelit, ku u avancuan Sebahate Hoxhaj-Pepaj, Dëshirë Jusaj dhe Kujtim Munishi duke filluar nga data 15 shtator 2025, si dhe raportin për avancimet në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ku u avancuan Shqiponjë Jupa dhe Qazim Kuçi me fillim nga data 8 qershor 2025.
Po ashtu, u aprovua kërkesa për avancim në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe shpallja e konkursit për këtë pozitë nga data 8 shtator 2025.
Këshilli caktoi prokurorin Qazim Kuçi si mentor në Akademinë e Drejtësisë, ndërsa Arian Gashi u emërua anëtar i Komisionit për Kushtet e Tregut.
Një tjetër vendim me peshë ishte transferimi i përhershëm i prokurorit Arben Ismajli në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan, duke filluar nga data 15 shtator 2025. Në kuadër të forcimit të transparencës, KPK përditësoi listën e prokurorëve që shërbejnë në panele hetimore, themeloi dy panele hetimore për raste disiplinore në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe në Prokurorinë Speciale, si dhe refuzoi një kërkesë të Avokatit të Popullit për hetim disiplinor.
Po ashtu, Këshilli miratoi raportin përfundimtar të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për shtatë prokurorë me mandat të përhershëm dhe autorizoi ndryshimin e Vendimit Nr. 77/2018. Përveç këtyre, KPK mori edhe vendime strategjike për ruajtjen e të dhënave dhe mirëmbajtjen e objekteve, ku kryesuesi Hajdaraj u autorizua për nënshkrimin e marrëveshjes ndërinstitucionale me Këshillin Gjyqësor dhe Policinë e Kosovës për ruajtjen e të dhënave, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, u autorizua për nënshkrimin e marrëveshjes me Ministrinë e Punëve të Brendshme për transferimin e përgjegjësive për mirëmbajtjen e Objektit C në Pallatin e Drejtësisë.
Në përmbyllje, KPK autorizoi Komisionin për Çështje Normative që të ndërmarrë veprime për fuzionimin e dy komisioneve në përputhje me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe për hartimin e Rregullores për mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin prokurorial, duke konfirmuar angazhimin e saj për forcimin e efikasitetit, integritetit dhe llogaridhënies në Republikën e Kosovës.