×
  • Lajme
  • Analiza

    Nga avancimi i kontestuar, deri tek shkarkimi i tij – ky është njeriu i PDK-së që u “fshi” nga Albin Kurti

    Insajderi
    22 February 2022 - 11:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadori i Kosovës në Norvegji, Uliks Emra, është shkarkuar nga kjo pozitë.

    Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vendimi për largimin e tij nga pozita e ambasadorit ka qenë i papritur dhe i paargumentuar.

    “Konfirmoj që mandati im si Ambasador i KARRIERËS në Norvegji (pas punës sime të përgjithshme 10 vjeçare në Ministri të Punëve të Jashtme si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm, pastaj në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci dhe tani në Norvegji) ndërpritet dhe do të përfundoj së shpejti”, ka shkuar Emra, transmeton Gazeta Insajderi.

    Emra tutje ka thënë se vendim mbi tërheqjen e tij, ka qenë i papritur dhe i paargumentuar.

    “VENDIMI mbi Tërheqjen time të Parakohshme (të papritur dhe të pa argumentuar) nga posti i Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Norvegji, me arsyetimin “zyrtar” “PËR NEVOJA PUNE NË MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME”, është i vërtetë”, ka shkruar tutje Emra, transmeton Gazeta Insajderi.

    Uliks Emra karrierën prej diplomati e kishte nisur me kontestime

    Ish-futbollisti Uliks Emra karrierën prej politikani e kishte nisur në vitin 2010, në kabinetin e Hajredin Kuçit, që atë kohë ishte zëvendëskryeministër i Hashim Thaçit.

    Deri në prillin e vitit 2014, Emra ushtronte detyrën e këshilltarit politik, dhe më pas postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për tu emëruar po prill në pozitën Ministër Këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Kroaci.

    Pak muaj më vonë, më 31 korrik 2014, Emra ishte emëruar zëvendësshef i misionit në Ambasadën e Kosovës në Zagreb të Kroacisë.

    Vendimi atë kohë ishte marrë nga ministri në largim i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

    Pozita që do të mbante Emra, njeriu që atë kohë e shoqëronte Hoxhajn në fushatës zgjedhore të 2014-ës, nuk parashihej në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës në nenin 26 ku tregohen gradat diplomatike dhe konsullore, nuk ekziston emërimi zëvendësshef misioni.

    Gradat diplomatike në Shërbimin e Jashtëm janë: “ambasador, ministër, ministër këshilltar, këshilltar, sekretar i parë, sekretar i dytë, sekretar i tretë, atashe”, thuhet në pikën 2 të nenin 26 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

    Ministria e Punëve të Jashtme atë kohë kishte thënë se “Emra ushtron detyrën  e zëvendësshefit të Misionit, duke qenë se e ka gradën diplomatike Ministër Këshilltar, grada e dytë më e lartë në hierarkinë e Ambasadës në Zagreb”.

    Por, në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, grada Ministër Këshilltarë, nuk është grada e dytë ashtu siç kanë shpjeguar zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por e treta për nga rëndësia.

    Pas Kroacisë, Emra ka shërbyer Norvegji, duke qenë Ambasadori i parë dhe themelues i Ambasadës së Republikës së Kosovës atje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurti ende nuk ka tregur se kë do ta emërojë për ambasador në vendin e tij mik

    Norvegjia është vendi i preferuar i kryeministrit Albin Kurti.

    Dhe, kjo jo vetëm për prejardhjen e bashkëshortes së tij, Rita Augestad Knudsen, por se edhe ministrin e Mbrojtes, Armend Mehajn e ka sjell nga atje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pavarësisht afërsisë së tij me Norvegjinë, Kurti ende nuk ka treguar se kë do ta çojë për ambasador të Kosovës atje.

    Mbetët të shihet gjatë ditëve të ardhshme, se kush do të jetë emri i qeverisë së Kurtit, për ambasador të Kosovës në Norvegji./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark