Prijësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë ditëve të fundit në fjalimet e tij ka zgjedhur të përdor citate nga tekstet e shkrimtarëve apo edhe të këngëtarëve.
Tetë ditë më parë derisa fliste në Kuvend, Abdixhiku përdori një thënie të të madhit Azem Shkreli.
Rasti ndodhi kur ai parashtroi një pyetje në drejtim të kryeministrit, Albin Kurti, për të cilin thotë se duhet të sqarojë nëse marrëveshja për energji është e mirë apo jo.
“Marrëveshja ose është e mirë, ose jo. Ose është meritë e jotja ose e keni të trashëguar. Dalja nga roli politik po bëhet e zakonshme për ju kryeministër. Mikullovci në vitin 2017 kishte cituar Shkrelin ‘nëse takohemi me veten sy më sy a do të ishim puthë apo kishim për tu pështy;. Çka i kish bo Albin Kurti i 2015-s para këtij Albin Kurtit sot”, tha Abdixhiku më 22 qershor të këtij muaji, shkruan Gazeta Insajderi.
Vetëm tetë ditë më pas, sot, kryetari i LDK-së, nga citimi i Shkrelit, ra në refrenin e këngës së Ledri Vulës.
“Unë e di që më shumë vërehet mungesa ime se sa prezenca jote (Mimoza Kusari Lilës), edhe siç e di që këto fjalë lavdëruese që duken krejt tu kanë bo si shefi, i kam dëgjuar edhe për Hashimin edhe për Behxhetin edhe tash po i dëgjoj për Albinin”, tha Abdixhiku derisa iu kundërpërgjigj Mimoza Kusari-Lilës, shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kjo e fundit kërkoi të di, pse deputeti i LDK-së, nuk ka qenë i pranishëm në Kuvend në ditën kur është folur për çështjen e Trustit.