×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Nga çkapja e shtetit, në okupim të Kosovës!

    Insajderi
    27 August 2022 - 14:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Artan Behrami

    Duke biseduar për ditët e para të pas Luftës së Dytë Botërore, një mik më tregoi një rrëfim që skicon më së bukuri dramaticitetin e ndërrimit të okupuesve në Kosovën e vitit 1945.

    Gjyshi i tij që kishte luftuar përkrah gjermanëve, kishte rënë në duart e komunistëve jugosllavë, në ditën e largimit të gjermanëve.

    Gjyshi ishte arrestuar dhe më pas ishte vendosur në sheshin kryesor të një qyteti të Kosovës, i rrethuar nga qindra njerëz, ku pjesë e turmës ishin edhe familjarë të tij të ngushtë.

    I lidhur në duar dhe në këmbë, ai ishte vendosur para nje gjykimi publik.

    “Çka t’i bëjmë këtij“?, kishte pyetur ushtari jugosllav në serbisht masën.

    Turma e kishte përgjigjen në maje të gjuhës: “Smrt, Smrt, Smrt, Smrt…”.

    Tragjedia ishte që edhe vetë familjarët e gjyshit të tij bërtisnin: Vrite, vrite, vrite…”, nga frika e hakëmarrjës edhe kundër anëtarëve të familjës së tij nga komunistët jugosllav.

    Kjo ngjarje shpërfaq aktet që kanë shënuar ndërrimin e okupuesit, ndërrimin e regjimit, ndërrimin e forcës.

    Në atë kohë nuk kishte tranzicion ndërmjet okupuesve. Dita e rënies së një pushtuesi shënohej si ditë çlirimi për pushtuesin e ri.

    Dita e pushtimit të ri ishte dita e fillimit të hakmarrjes kundër pushtuesve të vjetër!

    Të mësuar me qeshit-qeshit pushtuesish, kosovarët i kanë të ngulitura thellë në ndërdijen kolektive fushatat e vrasjes, denigrimit, izolimit dhe të hakmarrjes së pushtuesve të rinj për pushtuesit e vjetër.

    Kosovarët ishin viktima të përndjekjes nga të gjitha regjimet deri në vitin 1999. Menaxhimi i pasluftës, që ishte në duart e bashkësisë ndërkombëtare, u realizua disi, me gjithë vështirësitë.

    Retorika e ashpër, përçarëse dhe shpeshherë kërcënuese nuk u bë pengesë që në vitin 1999, 2002, 2006 dhe 2008 të bëhemi të gjithë bashkë për të tejkaluar sfidat, për t’i jetësuar ëndrrat!

    Uniteti ynë i brendshëm ishte i fortë, kur armiqtë tanë ishin të jashtëm! Plasaritjet e para filluan të shfaqen atëherë kur ne fituam mbi armikun e jashtëm – në ditën kur lindi ideja dhe nevoja për krijimin e armiqve të brendshëm!

    Më nuk ishte Serbia e keqja absolute!

    Përmes një fushate të etiketimit, linçimit, gjyqit publik dhe përmes mallkimit shpejt u identifikua armiku i ri i brendshëm.

    Lëvizja Vetëvendosje në dekadën e fundit, duke kundërshtuar sistemin, shtetin, institucionet e drejtësisë, policinë, Gjykatën Kushtetuese, Administratën amerikane…e krijoi iluzionin se ajo ishte një zëvendësim i krejt këtyre!

    Duke përbrendësuar antipodin e shtetit të kapur, VV-ja mori ligjin në duart e veta dhe krijoi sheshet virtuale, ku bëhej gjyqi publik, përmes sharjeve, fyerjeve, mallkimit dhe kërcënimeve për vrasje dhe inkrimnimit publik si tradhetar të secilit që nuk ishte në linjë me politikën e VV-së.

    Ata mbanin vulën e definimit të tradhtarëve, hajnave dhe kriminelëve. Gjyqi publik, i cili u transferua në gjyq virtual nëpër mediat sociale, bashkë me dhunën politike, ishte formula për ndarjen e madhe.

    Nuk kishte më rëndësi vendimi i gjykatave ‘të kapura’, i rëndësishëm u bë vendimi i prerë I partisë-shtet.

    Ajo u bë kornizë për zëvendësimin e armiqve!

    Ata (Serbia) që na pushtuan, masakruan dhe përndjekën popullin e Kosovës, tash e 100 vjet, përnjëherë u zëvendësuan me te ashtuquajturin klanin pronto, me tradhtarët, me shitësit e tokave, me hajnat, me komandantët e UÇK-së që shkatërruan gjithçka për 20 vjet!

    U amnistuan kriminelet serb, bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviçit, të Titës dhe të UDB-së!

    Kurti e ka krijuar ndjenjën se të punosh në administratën shtetrore në kohën e qeverisjës të Ibrahim Rugovës dhe Hashim Thaçit është njëjtë si t’u shërbesh Millosheviqit, Titos dhe Enver Hoxhës.

    Derisa pasardhësit biologjikë të ideologjisë së Millosheviqit, Titos dhe Enver Hoxhës i ka akomoduar në majat e sektit të tij!

    Çfarë paradoksi!

    Pasi armiku tashmë ishte definuar, Kurti e krijoi nevojën për t’u mbrojtur nga e keqja: iluzionin se duhet të luftohet armiku!

    Një opium perfekt për njerëzit që kërkonin zgjidhje të shpejtë për të dalë nga depresioni kolektiv, të cilin e kishte zhytur mungesa e shpresës dhe e perspektivës!

    14 shkurti-fillimi i hakmarrjes!

    Armiku i parë i Albinit Kurtit, sapo erdhi në pushtet, ishte regjimi i vjetër, administrata publike e ndërtuar me asistencë ndërkombëtare, sindikatat, shoqëria civile, mediat dhe të gjithë mbështetësit e regjimit të vjetër.

    Kurti filloi të sillet si një okupues, duke lansuar fushatën e hakmarrjes kundër përkrahësve të ‘regjimit të vjetër’!

    Kurti, Osmani dhe Gërvalla me mendësinë e urrejtjës së “Botës Sot”, filluan pastrimin sistematik të diplomatëve të Kosovës, të bordeve të ndërmarrjeve publike, largime masive të shërbyesve civilë dhe zëvendësimin e tyre me aktivistë të ‘ndershëm’.

    Okupuesit e rinj të gjithë gazetarëve ua vendosën shenjen inkriminuese, Yllin e Davidit, duke i përkufizuar si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

    Sindikatave u shpalli luftë qysh në ditët e para, duke ua mveshur të gjitha dështimet e pesë dekadave të fundit.

    Tani ka filluar që të mbytë çdo zë kritik, duke kërcënuar të gjithë grevistët për largim nga lista e pagave, sikur Kosova të ishte nën pushtetin e Maduros.

    Fushata e përndjekjes dhe e segregacionit politik ende është duke vazhduar me largim nga puna, me dhunë, kërcënime dhe presion psikik ndaj shërbyesve civilë, e paparë në 23 vjetët e fundit!

    Një shoqëri me dy milionë banorë e ka shndërruar në musak, duke vendosur mbështetësit e tij në pjesën e parë, derisa gjithë të tjerët në fund!

    Ai ka arritur të ndjellë dyshimin dhe paranojën, duke i shndërruar përkrahësit e tij në robotë të kurdisur për të mbrojtur me çdo kusht botën paralele ku Kurti është kult dhe Albini amin!

    Urrejtja është burim i pasosur i energjisë së tij!

    Logjika e Albin Kurtit është e thjeshtë: kushdo që nuk e mbështet Qeverinë e tij, partinë e tij nuk është pjesë e së vërtetës së popullit.

    Se kundërshtarët janë pjesë e imoralitetit!

    Njerëzit e regjimit të vjetër, me logjikën e pushtuesve të gjyshit të mikut tim, Kurti, Osmani dhe vartesve te tyre janë duke i vendosur në sheshe, tani virtuale, për të marrë dënimin përmes fyerjeve, sharjeve, kërcënimeve, baltës dhe mallkimit nga moçali virtual i quajtur “Me Kryeministrin”!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark