Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në kohën e ngërçit politik, kur partia e tij ishte pozicionuar përkrah bllokut opozitar, kishte deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilën e cilësonte si kapëse të shtetit.
“Nuk është vullneti i anëtarësisë dhe i udhëheqjes së LDK-së që të shkohet në koalicion me PDK-në. Arsyeja është se ne e shohim se kjo qeverisje, në një formë, e ka kapë shtetin, e ka ngulfatë shtetin”, kishte deklaruar Mustafa.
Madje, kreu i LDK-së e akuzonte PDK-në për shtrirje të thellë të strukturave të saj në çdo institucion të rëndësishëm publik, përfshirë edhe mediet.
“E ka lëshuar rrjetin e strukturave aq thellë nëpër tërë organizmin, edhe në media, edhe në kompani publike, edhe në institucione qeveritare, edhe në agjenci, edhe në polici, edhe në prokurori, edhe në gjyqësi”, kishte thënë ndër tjera ai gjatë një debati televiziv në TV 21.
Marrë parasysh këtë, Mustafa kishte thënë se qeverisja me PDK-në nuk do të kishte kuptim dhe, rrjedhimisht, do t’u pamundësohej ndryshimi.
“Ne nuk do të bëjmë asgjë në qoftë se ne vazhdojmë të qeverisim me ta, sepse pastaj ata do të qeverisin me rrjetin e tyre dhe ne do të jemi vështrues pasiv të kësaj qeverisjeje dhe ne s’mund të bëjmë ndryshime”, vazhdonte ai.
Kreu i partisë më të madhe asokohe në opozitë, kishte thënë se ata janë të interesuar që t’i ndalin ndikimet në gjyqësi e prokurori, dhe në të gjitha institucionet tjera.
“Ne jemi të interesuar, së pari, të bëjmë ndryshime sa i përket shtetit ligjor, ta pavarësojmë policinë, prokurorinë, gjyqësinë, në mënyrë që atje askush të mos përzihet politikisht dhe ata të marrin vendime të pavarura, dhe ta pavarësojmë ekonominë dhe t’i heqim monopolet e tenderëve në furnizues dhe importues në vend prej të cilëve mendojmë se fiton edhe një pjesë e strukturave të pushtetit, dhe ato duhet t’ia heqim prej dorës në mënyrë që ta demokratizojmë këtë vend”, kishte thënë Isa Mustafa.
Qëndrimi i LDK-së, thoshte Mustafa, nuk është për shkak të ndonjë averzioni ndaj PDK-së, por për shkak se qeverisja me ta nuk do të sillte asgjë të re për vendim.
“Ne konsiderojmë se këto ndryshime nuk do të mund t’i bëjmë nëse vazhdojmë me PDK-në, jo pse tash ne kemi ndonjë averzion ndaj PDK-së, sepse unë me Thaçin mund të ulem e të bisedoj, mirëpo nuk jam ai që mund të ulem së bashku me të dhe të qeveris”, kishte thënë ai.
Madje, Mustafa kishte thënë se rreth këtij qëndrimi është marrë vendim i prerë nga strukturat, duke shtuar se mosrespektimi i anëtarësisë dhe strukturave shpesh u ka kushtuar me rënien e besueshmërisë.
“Po ju them kështu me vendim të prerë se nuk do të shkojmë, sepse gjithmonë na ka kushtuar kur nuk e kemi respektuar vullnetin e anëtarësisë – na ka kushtuar me votë, na ka kushtuar me mosbesim dhe na ka kushtuar me rënies e përkrahjes nga anëtarësia e LDK-së, dhe ne më tutje nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes”, kishte thënë ndër tjera ai.
U harruan të gjitha – Isa Mustafa u hodh në përqafim të koalicionit me PDK-në.
Pas një periudhe gjashtëmujore të bllokadës politike, ishte vetë Isa Mustafa i cili i dha fund kësaj, duke bërë koalicion me PDK-në, partinë për të cilën s’la gjë pa thënë.
U harrua kapja e shtetit, shtrirja e strukturave të PDK-së nëpër të gjitha institucionet e rëndësishme në vend, u harrua ndikimi i PDK-së në prokurori, gjyqësi, polici, dhe vendosi të bëjë koalicion me të.
Nga deklarata se nuk mund të qeverisë me PDK-në, tash e tri vjet janë në bashkëqeverisje. Isa Mustafa moti postin e kryeministrit, kurse Hashim Thaçin, e hodhi pas vetes, duke e bërë zëvendëskryeministër dhe ministër të Punëve të Jashtme, dhe më pas u bë president.
Presioni opozitar vazhdoi që nga themelimi i koalicionit PDK-LDK, duke pamundësuar marrjen e vendimeve më të mëdha, siç është Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe.
Në kohën kur kanë mbetur edhe një vit qeverisje deri në zgjedhjet e rregullta, janë shtuar zërat për mundësinë e prishjes së koalicionit.
PDK-ja, në krye me Kadri Veselin, si pasardhës i Hashim Thaçit, vazhdimisht ka deklaruar se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme nëse do të ketë marrëveshje politike për këtë gjë.
Më e tërhequr në deklarata ka qenë vetë LDK-ja, ku kreu i saj, Isa Mustafa, që dikur nuk donte koalicion me PDK-në, vazhdimisht ka thënë se koalicioni do të qëndrojë deri në fund të mandatit./Insajderi.com
[arve url=”https://www.facebook.com/1682275692059414/videos/1696376480649335/” /]