Nga George Washington tek Donald Trump – cilat tradita lidhen me inaugurimin e presidentit të SHBA? – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Nga George Washington tek Donald Trump – cilat tradita lidhen me inaugurimin e presidentit të SHBA?

    Insajderi
    18 January 2025 - 16:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Uashington, më 20 janar do të mbahet inaugurimi i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. Kjo traditë filloi me presidentin e parë të SHBA-së, George Washington, që në vitin 1789.

    Inaugurimi i presidentit amerikan në kohët moderne është një ngjarje që zgjat disa ditë. Përveç betimit të liderit të ri të SHBA-së, organizohen parada dhe shumë ballo në mbarë Uashingtonin.

    Para 235 vitesh, kur George Washington u bë presidenti i parë, inaugurimi u mbajt në New York përpara një numri të vogël njerëzish. Në krahasim, më 20 janar në kryeqytetin amerikan pritet të mblidhen të paktën 22 mijë njerëz, duke përfshirë ata që kanë siguruar bileta nga anëtarët e Kongresit.

    Gjithashtu, shiten bileta për inaugurimin, ku vendet pranë Kongresit amerikan kushtojnë të paktën 4950 dollarë, ndërsa ato më larg kushtojnë 1950 dollarë.

    Përveç ceremonisë zyrtare, qytetarët dhe vizitorët mund të ndjekin paradën dhe aktivitetet e tjera. Një tjetër traditë është programi muzikor. Në inaugurimin e parë u luajt “Marshi Presidencial” nga Philip Phile.

    Trump ka përgatitur një program të ndryshëm. Carrie Underwood do të performojë këngën “America the Beautiful”, ndërsa himnin kombëtar do ta këndojë tenori, Christopher Macchio. Të tjerë artistë përfshijnë Lee Greenwood me “God Bless the USA”, Jason Aldean, Gavin DeGraw, si dhe grupet Rascal Flatts dhe Village People.

    William Harrison

    Një traditë që ka mbetur e pandryshuar është teksti i betimit, që është pjesë e Kushtetutës së SHBA-së. Që nga George Washington e deri te Trumpi, të gjithë presidentët kanë shqiptuar të njëjtin tekst.

    “Betohem solemnisht (ose konfirmoj) se do të kryej me besnikëri detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se do të mbroj, ruaj dhe mbështes Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në maksimumin e aftësive të mia”, thuhet në tekstin e betimit.

    Është interesante të përmendet përdorimi i Biblës gjatë betimit. Disa presidentë, si Thomas Jefferson, Calvin Coolidge, Theodore Roosevelt dhe John Quincy Adams, kanë zgjedhur libra të tjerë për betimin. Adams, për shembull, përdori një libër ligjesh për të theksuar përkushtimin ndaj Kushtetutës.

    Trump pritet të përdorë Bibla për betimin e tij, dhe në fakt, ai do të betohet mbi dy të tilla, siç kanë bërë edhe presidentë të mëparshëm si Barack Obama dhe Harry Truman.

    Pas betimit, presidenti i ri mban fjalimin e parë, një traditë që filloi me George Washingtonin. Fjalimi i tij i parë përmbante 1431 fjalë, ndërsa ai i Joe Biden kishte 2514 fjalë. Fjalimi më i shkurtër ishte ai i George Washingtonit në mandatin e dytë, me vetëm 135 fjalë, ndërsa më i gjati ishte ai i William Henry Harrison me 8460 fjalë.

    Një tjetër traditë e inaugurimit është prodhimi i medaljeve presidenciale, që nisi me Washingtonin. Në fillim të shekullit të XX-të, kur qeveria nuk mund të përballonte kostot e inaugurimeve madhështore, qytetarët e Uashingtonit kontribuuan financiarisht, ndërsa një pjesë e fondeve u sigurua nga shitja e medaljeve presidenciale.

    Duke qenë një figurë showmani, Trump pritet ta kthejë këtë ngjarje në një spektakël të madh, duke hapur një mandat katërvjeçar plot befasi. /Telegrafi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark