Një artikull i gjatë i publikuar në Institutin për Kërcënime Globale dhe Studime të Demokracive, i njohur si IGTDS, i është kushtuar krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, raportit famëkeq të Dick Martyt dhe një kronologjie të të gjitha ngjarjeve që përkojnë me funksionimin e kësaj gjykate, duke përfshirë edhe akuzat për ish-komandantët e UÇK-së, që po mbahen në Hagë. Një vështrim të shkurtër, por të saktë, e jep edhe ish-ministri britanik i BE-së, Dennis McShane, i cili thotë se nuk ka asnjë dëshmi dhe as provë që ish-presidenti Thaçi të vazhdojë të mbahet në Hagë.
Kjo është analiza e publikuar nga Instituti për Kërcënime Globale dhe Studime të Demokracive:
Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën në Hagë u krijuan me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare përmes ndryshimeve përkatëse kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës. Gjykata Speciale, siç njihet në Kosovë, është e përkohshme dhe, megjithëse është pjesë e gjyqësorit në Kosovë, ajo funksionon e pavarur dhe financohet nga Bashkimi Evropian.
Krijimi i saj vjen si rezultat i një raporti të Këshillit të Evropës në vitin 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, fliste për krimet e pretenduara të kryera nga anëtarët e UÇK-së kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Raporti i Dick Martyt akuzon udhëheqësit politikë të Kosovës për trafikim organesh dhe për krime tjera të kryera në Kosovë dhe në Shqipëri. Kjo kishte dëmtuar rëndë imazhin dhe të ardhmen e Shqipërisë nga një perspektivë gjeopolitike, si një anëtare e NATO-s dhe si një pretendente për anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Evropian, shkruan IGTDS.
Provat e paraqitura nga Marty janë gjithashtu shumë të diskutueshme dhe jo përfundimtare. Disa vjet para raportit, në Kosovë ishte publikuar një përgjim i një anëtari të pretenduar të shërbimit sekret serb, që përpiqej të blinte shërbimet e një shqiptari të Kosovës për të dëshmuar në lidhje me skandalin e trafikimit të organeve për të njëjtën gjykatë. Ky skandal u ndalua nga policia e Kosovës, por përpjekja për të blerë dëshmitarë është një problem i madh në vërtetimin e të vërtetave.
IGTDS shkruan se hetimi i politikanit zviceran, Dick Marty, mbi trafikimin e organeve dhe krime të tjera në Kosovë e në Shqipëri nuk po gjente prova edhe pas disa udhëtimeve të tij nëpër rajon. Hetuesit e krimeve të luftës nga EULEX-i, gjithashtu i thanë Martyt se akuzat kundër autoriteteve ishin një “përrallë” e tmerrshme. Marty, i njohur për “hetimet” e tij në burgjet sekrete të CIA-s në Evropë, dihet gjithashtu se e ka kundërshtuar Pavarësinë e Kosovës dhe tani po bashkëpunon me Serbinë në përpjekjet për të minuar shtetësinë e Kosovës. Dennis McShane, një ish-ministër i Mbretërisë së Bashkuar i BE-së, thotë në një tekst të shkruar në “Demokracinë e Hapur” se “raporti i Dick Marty-t drejtuar Këshillit të Evropës pasqyron politizimin fatkeq të këtij organi nga Rusia që nga anëtarësimi i saj në vitin 1995. Politika kosovare nuk është e pastër, por atje nuk ka asnjë provë të trafikimit të organeve nga ana e Thaçit. Dhe gjykimi i Martyt shihet të jetë i imponuar nga instinktet e tij antiamerikane”. McShane gjithashtu thotë se “nuk ka një emër të vetëm ose një dëshmitar të vetëm për pretendimet se Thaçi ishte i përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore nga viktimat e vrara”.
Se praktika të tilla neveritëse kanë ndodhur dhe ndodhin diku tjetër në botë, nuk ka dyshim. Por, Marty nuk arrin ta lidh Thaçin drejtpërdrejt me trafikimin e organeve, edhe pse titulli i zhurmshëm i raportit të tij: “Trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë” është krijuar për të maksimizuar titujt kryesorë të gazetave. Raporti u iniciua nga Konstantin Kosachev dhe Mikhail Margelov, eurodeputetë rusë së bashku me Milos Aligrudic, deputet nga Serbia, Yevhen Marmazov nga partia komuniste ukrainase dhe eurodeputet. Deputetët e tjerë ndoqën grupe të ndryshme parlamentare të Parlamentit Evropian.
Më tej, IGTDS shkruan se në vitin 2015, Kosova u shty të besonte se Kombet e Bashkuara do të themelojnë një gjykatë ndërkombëtare për të hetuar Kosovën për akuzat. Nga frika e ndikimit rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 votoi pro krijimit të një Gjykate Speciale dhe e konsideroi themelimin e saj si “një sfidë që Kosova duhet ta kalojë”. Është e qartë se e gjithë kjo u krijua nga presioni i jashtëzakonshëm i ushtruar nga përfaqësuesit diplomatikë mbi institucionet e Kosovës, duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të themelojë Gjykatën e saj Speciale, që do të shikojë krimet e një etnie vetëm në kontekstin e kaq shumë krimeve të luftës të ushtrisë serbe të papara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dhe nga gjykata të tjera. Partitë politike të opozitës kundërshtuan krijimin e Gjykatës Speciale me pretekstin se nuk ishin kundër një gjykate për krime lufte, por kërkuan që ajo të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos gjykojë vetëm palën shqiptare.
Menjëherë pas luftës në Kosovë u ndërtua një sistem drejtësie nga administrata e UNMIK-ut, një sistem i brishtë dhe jofunksional. UNMIK-u, gjithashtu nuk e miratoi praktikën e gjykimeve në mungesë, kështu që shumica e të akuzuarve për krime lufte në Kosovë, të cilët ishin serbë dhe arritën të largoheshin në vitin 1999, dolën të lirë. Ky sistem i drejtësisë së gjymtë i Kosovës për t’u marrë me krimet e luftës çon te mosbesimi i njerëzve të Kosovës në sistemin e drejtësisë.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) u krijua pesëmbëdhjetë vjet më parë me Rezolutën 808 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kështu, Tribunali për ish-Jugosllavinë ishte një organ i Kombeve të Bashkuara. Ndërsa, Gjykata Penale e Kosovës është një organ i bashkëngjitur në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Gjykata Speciale e Kosovës u krijua me një ndryshim kushtetues dhe me një ligj të votuar në Kuvendin e Kosovës, i cili e bën atë një pjesë anomalie të sistemit të drejtësisë.
Institucionet e Gjykatës Speciale të Kosovës janë një projekt unik qeveritar, i cili mbështetet nga shtete të tjera të rëndësishme dhe financohet tërësisht nga BE-ja. Asnjë anëtar i trupit gjykues nuk është shqiptar, as në zyrat e Gjykatës Speciale të Kosovës në Kosovë, megjithëse dhomat janë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe janë të bashkangjitura në Gjykatën Themelore, në Gjykatën e Apelit, në Gjykatën Supreme dhe në atë Kushtetuese. Gjyqtarët e caktuar nga EULEX-i punojnë në to. Prokurori i Specializuar me zyrë në Hagë është i pavarur nga dhomat dhe ka policinë e vet, e cila ka të drejta të barabarta me Policinë e Kosovës, por që nuk lejon që Policia e Kosovës të përfshihet në rastet e Gjykatës Speciale. Asnjë shqiptar i Kosovës nuk punon për gjykatën, ndërsa gjykata punëson serbë, shkruan IGTDS.
Themelimi i Gjykatës Speciale për Kosovën është përpjekja e katërt për të gjykuar krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga viti 2019 e deri më tani, rreth 250 ish-ushtarë të UÇK-së udhëtuan në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe nga Zyra e Prokurorit Special.
UÇK, nga ICTY në Gjykatën Speciale
Si një formacion ushtarak, UÇK-ja u krijua kryesisht nga njerëz të klasës së mesme të ulët, të papunë dhe ruralë, por shumë shpejt fitoi mbështetje nga masa e popullatës shqiptare të Kosovës në përpjekjet e tyre për të mbrojtur fshatrat që u sulmuan nga forcat serbe.
Pas një dekade të rezistencës së lëvizjes paqësore në nëntor të vitit 1993, një grup njerëzish që u mblodhën rreth idesë së çlirimit të Kosovës përmes rezistencës së armatosur kundër Serbisë e quajtën atë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas vetëm disa vitesh, ky grup u bë guerilja më e njohur për të bashkëpunuar më vonë edhe me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) gjatë fushatës së bombardimeve kundër shënjestrave ushtarake jugosllave dhe për të mbrojtur popullsinë civile nga forcat serbe.
Megjithatë, një formacion i gueriles nuk u mendua kurrë se do të përfshihej në një luftë frontale me forcën ushtarake serbe. Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, në librin e tij “Duke zhvilluar një luftë moderne” (2001), tha: “Komuniteti ndërkombëtar nuk kishte ide për UÇK-në dhe as kush ishin ata”, por pasi NATO-ja filloi sulmet e saj kundër Jugosllavisë, UÇK-ja shpesh ishte sigurimi i koordinatave të pozicionimit në tokë të caqeve për bombardime.
Pas kërcënimit të krizës humanitare me refugjatë dhe vrasjeve masive, në vitin 1999, NATO-ja ndërhyri dhe i dha fund sundimit ushtarak serb mbi Kosovën. Në qershor të vitit 1999, Kosova u vu nën administrimin e OKB-së dhe prania e madhe civile dhe ushtarake ishte përgjegjëse për sigurinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. UÇK-ja nënshkroi marrëveshjen e çmilitarizimit dhe çmobilizimit me OKB-në menjëherë pas vendosjes së forcave të NATO-s në Kosovë.
Në vazhdim, IGTDS shkruan se fillimisht nën Rezolutën 1244 të OKB-së, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) u krijua për të hetuar të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Pas disa aktakuzave të figurave të larta të shtetit serb, si Millosheviq, Shainoviq dhe të tjerë nga elita politike, ICTY-ja paditi disa figura ushtarake gjithashtu në Serbi. ICTY-ja, gjithashtu paditi disa figura të UÇK-së. Në mënyrë më të dukshme, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, një komandant i UÇK-së. Limaj u shpall i pafajshëm në vitin 2007 dhe Haradinaj në vitin 2012. Brenda vendit, në Kosovë, për gati një dekadë, UNMIK-u mbajti lidhjet e sektorit të drejtësisë në Kosovë. Në vitin 2001, UNMIK-u lëshoi një rregullore që gjykimet për krimet e luftës nuk mund të mbahen në mungesë, duke mbyllur kështu një kapitull të trajtimit të krimeve të luftës në Kosovë për krimet që ishin kryer nga serbët, të cilët kryesisht ikën pas ndërhyrjes së NATO-s. Kjo i mundësoi UNMIK-ut që të vazhdojë me akuza për krime dhe për krime lufte kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër udhëheqjes së UÇK-së për ca kohë. Prokurorët vendas, të cilët u paguan nga OKB-ja, hetuan çdo rast për krime lufte në Kosovë dhe kështu proceduan qindra raste. Disa nga këto raste u karakterizuan nga gabime procedurale të cilat çuan në një mosbesim masiv në sistemin e drejtësisë të udhëhequr nga UNMIK-u.
Kur paraqitja e parë e akuzave kundër udhëheqjes së UÇK-së doli në sipërfaqe në fund të viteve 2000, hetimet gazetareske ishin në gjendje të gjurmonin një përpjekje për të blerë dëshmi të dëshmitarëve nga shërbimi sekret serb në Kosovë, por ky nuk ishte një zhvillim i fundit. Në atë kohë, mediat në Kosovë e raportuan këtë në publik. Por, ky nuk ishte një zhvillim i fundit. Carla Del Ponte, një ish-prokurore e ICTY-së në çështjet Limaj dhe Haradinaj, pasi u tërhoq nga ICTY-ja, botoi një libër, fillimisht në italisht, ku ngriti akuza për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si mafi që bëri kontrabandë dhe trafik organesh. Ajo kishte dyshime dhe nuk ishte në gjendje t’i provonte ato në gjykatën e drejtësisë, por kjo nuk e pengoi atë të shkruante një libër me akuza të tilla. Dick Marty i mori seriozisht këto akuza nën sponsorizimin e Konstantin Kosachev dhe të Mikhail Margelov për të hetuar “trafikimin e organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës” në Shqipëri në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, ku pretendohet të kenë ndodhur operacione të tilla. Kosachev dihet se është një aleat i ngushtë i Leonid Slutsky, kryetar i Komitetit të Dumës Shtetërore për Çështjet Ndërkombëtare në Federatën Ruse.
Ekspertët paralajmërojnë për pamundësinë që veprime të tilla të ndodhin në kushte të tilla. Një ekspert i forensikës nga Kroacia, Miljenko Doriç, tha një herë se për çdo transplantim organi, ekziston një kërkesë për analiza të nivelit të lartë që zgjasin me muaj dhe përputhja e tyre është një problem real. Ju nuk mund të merrni një organ nga një person dhe ta bashkoni me një tjetër sikur të ishte një pjesë makine. Edhe në vetura ekzistojnë disa kushte, në prodhim, në llojin e makinës, në vitin e prodhimit të tyre dhe faktorë të tjerë që përcaktojnë përshtatshmërinë e tyre.
Në përgjithësi, atë që ICTY-ja nuk mundi ta argumentojë dhe ajo që kaloi nëpër filtrin e ICTY-së si joargumentuese, u mor nga Gjykata Speciale me nxitjen ruse për të krijuar akuza për udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si libri i Carla Del Pontes, ashtu dhe raporti i Dick Martyt, dolën në publik para përgatitjes së çdo akuze që e bën publikun të çuditet për qëllimin e saj. Nëse dikush ka fakte, shkon në gjykatë – në çfarëdo gjykate. Nëse dikush nuk ka fakte, shkruan një raport duke mohuar emërimin e ndonjë burimi, mohon të flasë për media, mohon t’i përgjigjet çdo transparence, llogaridhënieje ose përgjegjësie për të shpjeguar raportin si Dick Marty.
Ky qëndrim i Institutit për Kërcënime Globale dhe Studime të Demokracive është përgatitur nga analistja Arbesa Hoxha-Dobrunaj, e cila është bashkautore e raporteve për gazetarinë.