
Oleksandr Usyk, pavarësisht fitores me nokaut ndaj Daniel Dubois të shtunën mbrëma, rrezikon të humbasë një shumë marramendëse nga pagesa që i takon pas duelit për titullin absolut në peshat e rënda.
Veterani ukrainas, i cili hyri në ring me një rekord të pastër profesional, e mposhti britanikun në raundin e pestë me një goditje të fuqishme me dorën e majtë – duke i dhënë fund duelit të shumëpritur.
Por, sipas Daily Express, edhe pse Usyk dhe Dubois pritet të fitojnë përkatësisht rreth 100 milionë dhe 50 milionë euro – shumë më tepër sesa përballja e parë e tyre në vitin 2023 – një pjesë e madhe e këtyre shifrave do të avullojnë.
The Mirror raporton se Dubois do të humbasë afro gjysmën e pagës për shkak të taksave dhe kontributeve të sigurimeve kombëtare, konkretisht rreth 23.6 milionë euro. Nga ana tjetër, Usyk mund të detyrohet të paguajë 3-4 milionë euro në tarifa dhe komisione, përfshirë kontributet ndaj Bordit të Kontrollit të Boksit në Britani, ndërsa Dubois rreth 1.5-2 milionë.
Pra, ndërsa të dy boksierët shijuan lavdinë në ring dhe miliona në letër, goditja më e rëndë financiare mund të vijë jashtë ringut – nga zyrat e taksave dhe federatat përkatëse.