×
  • Lajme
  • Analiza

    Nga largimi prej Kosovës, deri tek lidhjet me Senatin e Berlinit dhe Bundestagun Gjerman – ky është rrëfimi ekskluziv i Vjollca Hajdarit

    Insajderi
    31 December 2022 - 09:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Te menduarit global, të vepruarit lokal”, është motoja e Vjollca Hajdarit, gazetares, publicistes dhe politologe shqiptare që jeton dhe vepron në Gjermani.

    Në këtë shtet ajo kishte shkuar qysh e vogël së bashku me prindërit e saj që ishin të përndjekur politikë në Kosovë.

    Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Insajderi, gazetarja shqiptare, tregon se si u shkollua atje, dhe si arriti të krijojë lidhje me figurat kyçe të shtetit gjerman.

    Për shoqërimin që ia bëri kancelarit të Gjermanisë, në Samitin e BE-së në Tiranë, mbi figurën e Olaf Scholz, dhe për atë se çfarë ai mendon për kosovarët dhe Kosovën.

    Vjollca Hajdari, gazetare, publiciste, politologe dhe lobiste për çeshtjen shqiptare në Gjermani | Foto: Vjollca Hajdari, Facebook

    Intervista e plotë e Gazetës Insajderi me Vjollca Hajdarin, me gazetaren, publicisten, politologen dhe lobisten për çeshtjen shqiptare në Gjermani:

    Gazeta Insajderi: Zonja Hajdari që sa vjet jetoni në Gjermani?

    Vjollca Hajdari: Unë jetoj nga fundi i vitit 91 në Gjermani. Në Berlin kam ardhur me familjen, meqë prindërit, e sidomos babin e kisha të përndjekur politik. Në Gjermani kemi kërkuar azil politik, status ky që na është njohur brenda gjashtë muajash. Nga ajo kohë jam shkolluar, kam mbaruar studimet dhe ku jetoj e veproj.

    Gazeta Insajderi: Cili është roli juaj në shtetin gjerman?

    Vjollca Hajdari: Motoja ime është: “Te menduarit global, të vepruarit lokal”. Unë e shoh veten si një promovuese të vlerave, kulturës, historisë shqiptare dhe krijimit të urave mes popujve. Fokusi im është ndikimi politik, diplomacia publike dhe kulturore. Misioni kryesor i imi: imazhi pozitiv i shqiptarëve. Shikoni si i quajti “kriminelë”, shqiptarët, ministrja ne Angli, Suela Braverman. Çdo shtet tjetër e kishte paditur atë dhe ky do ishte bërë skandal diplomatik. Tek ne nuk ndodhi asgjë. Ky nuk është “sulmi” i vetëm që bëhet në adresë të shqiptarëve. Ka edhe shumë e shumë shembuj të tjerë. Shumica e shteteve investojnë në mirëmbajtjen e imazhit pozitiv në botë dhe avokojnë për vendet e tyre. Në tërë sferën shqipfolëse, ne nuk kemi një mekanizëm të tillë, prandaj unë e kam marrë këtë rol sipër. Besoj që deri këtu kam pasur suksese me këtë veprimtari, pasi që jam nderuar me çmime prestigjioze gjermane dhe ndërkombëtare.

    Gazeta Insajderi: Në Samitin e parë mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që u mbajt në Tiranë ju e shoqëruat kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Cili ishte saktësisht roli juaj përkrah z. Scholz, në Samitin e Tiranës?

    Vjollca Hajdari: Kancelarin Scholz e kam shoqëruar në cilësinë e gazetares dhe politologes. Unë isha e vetmja shqiptare, ndërkaq që me mua ishin edhe gazetarë të tjerë të shquar gjermanë. Edhe këtu rolin tim e shihja që të avokoj për çështjen shqiptare. Kam folur me kancelarin, por edhe me gazetarët gjermanë, që t’i informoj ata saktë rreth historisë, situatës politike dhe kulturës e mikpritjes shqiptare.

    Në kohërat moderne informimi është arma më efektive, sidomos kur dihet se ne jemi të rrethuar nga një invazion i paparë i lajmeve propagandistike. Së këndejmi kemi edhe gazeta ndërkombëtare, (po ashtu gjermane) që paragjykojnë dhe krijojnë lajme tendencioze. Mu për këtë prezenca ime, kishte karakter jo vetëm simbolik.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe gazetarja shqiptare, Vjollca Hajdari | Foto: Vjollca Hajdari, Facebook

    Gazeta Insajderi: A e keni shoqëruar kancelarin gjerman edhe më herët në ngjarje të tilla, ose ndonjë zyrtar tjetër gjerman?

    Vjollca Hajdari: Kancelarin aktual gjerman deri më tani nuk e kam shoqëruar, ndonëse ishte në Kosovë në qershor të këtij viti. Angazhimet në Berlin, bënë që unë të qëndroj në Gjermani. Kësaj radhe vendosa ta shoqëroj, meqë e dija se vizita do të zhvillohet brenda një dite, pra do të kthehemi me avionin ushtarak të Kancelarit në Berlin. Para ca ditësh ishte edhe ftesa për ta shoqëruar kryetarin Gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri. Vizita e tij zgjati katër ditë, gjë që për mua ishte e pamundur, për momentin, të qëndroj jashtë Berlinit.

    Kam shoqëruar shume zyrtarë dhe politikanë gjermanë, meqë edhe vet kam punuar në Senatin e Berlinit dhe po ashtu ne Bundestagun Gjerman. Vlen ta përmend vizitën e deputetit Gjermano-Kroat, Josip Juratovic në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ku kemi qëndruar disa ditë. Aty kemi vizituar praktikantët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që marrin pjesë në një program gjashtëmujor të Bundestagut Gjerman. Sidomos gjatë qëndrimit tim në Maqedoni të Veriut, mësova edhe më shumë, se si trajtohen shqiptarët atje. Përndryshe në kuadër të shumë bashkëpunimeve me organizata dhe fondacione të ndryshme, Kosovën dhe vendet e tjera i vizitoj herë pas here. Një nder to, vizita ime në nivel ndërkombëtar, ishte ajo me Institutin Amerikan “Aspen” me të cilin edhe kam bashkëpunuar.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë fjalës së tij në Samitin e BE-së në Tiranë | Foto: Vjollca Hajdari, Facebook

    Gazeta Insajderi: Si jeni kontaktuar nga z. Scholz për ta bashkëpunuar me të?

    Vjollca Hajdari: Kabineti i Kancelarit Scholz më ka kontaktuar përmes e-milit. Nga qeveria gjermane, respektivisht nga të gjitha qarqet qeveritare e zyrtare, pranoj rregullisht e-mila dhe lajme. Pra jam e informuar drejtpërdrejt për zhvillimet aktuale, ngjarjet dhe vizitat e politikanëve tanë ne Gjermani dhe në botë. Meqë i përcjell zhvillimet aktuale, ndodhem shpesh në Kabinetin e Kancelarit Gjerman. Zëdhënësi dhe zyrtarët në Kabinetin e tij më njohin, prandaj vlen të përmend se jam shumë mirënjohëse për organizimin e jashtëzakonshëm profesional, për faktin qe ata kanë vendosur që unë të marrë pjesë dhe për mikpritjen e tyre shumë të ngrohtë. 

    Gazeta Insajderi: Si është z. Scholz jashtë petkut të politikanit që shihet në media?

    Vjollca Hajdari: Kancelarin Scholz kishim kënaqësinë që ta përjetonim nga një tjetër anë, kur ishim në avion me të. Pra ai qëndroi me ne dy orë e gjysmë gjatë vajtjes në Tiranë dhe dy orë e gjysmë gjatë kthimit në Berlin. Sidomos kur u kthyem, patëm mundësinë që të zhvillonim një bisedë gati një orëshe me të. E përjetova Kancelarin si një personalitet shumë të ngrohtë, elokuent dhe shumë i “gjallë” pra ndryshe nga paraqitja e tij para mediave. Kur ai flet para kamerave, është i qetë, i kontrolluar dhe shumë i përmbajtur. Në paraqitjen private, është i qeshur, i përzemërt dhe shumë i natyrshëm. Aty këtu tregon edhe ndonjë anekdotë dhe kjo e bënte atë shumë të afërt me gazetarët. Vlen ta përmend që edhe trupi ushtarak, që na asistonte në avion, ishte një ndër mbresat më të mira, që kam marrë me vete.

    Vendi i zonjës Hajdari në avionin me të cilin udhëtoi zotri Scholz drejt Tiranës | Foto: Vjolla Hajdari, Facebook

    Gazeta Insajderi: A ka biseduar ai me ju për Kosovën?

    Vjollca Hajdari: Gjatë pyetjeve që unë ja shtroj, ato përbejnë 90% të temës mbi Kosovën. Natyrisht që bisedat që bëjmë “off the record”, zhvillohen në formë konfidenciale. Por, për ato që Kancelari flet para mediave, janë opsionet dhe skenarët që e presin Kosovën. Një ndër to është edhe propozimi franko-gjerman, Marrëveshja Themelore e dy Gjermanive dhe Parimi Modus Vivendi, të cilin ai e ka përmendur edhe kësaj here në Samit të BE-së në Tiranë.

    Gazeta Insajderi: Nëse po, cilat janë përshtypjet e tij për shtetin e Kosovës dhe kosovarët?

    Vjollca Hajdari: Ai gjithmonë flet për një mikpritje shumë të mirë dhe të frytshme që ia ka ofruar Kosova. Kancelari njëherësh ka fjalë pozitive, sa i përket qytetarëve gjegjësisht popullit në vend dhe bukurive natyrore që ka Kosova. Politikanët gjermanë janë shumë profesionistë sa i përket gjuhës diplomatike, ndonëse ai ka përmendur edhe para mediave gjendjen faktike dhe asaj politike, aktuale lidhur me Kosovën. Korrupsioni, krimi i organizuar dhe politikat ditore, janë një ndër kritikat që nuk mungojnë në fjalorin politik gjerman. Konflikti me Serbinë dhe situata e tensionuar atje, janë natyrisht temat numër një për momentin.

    Vjollca Hajdari gjatë qëndrimit në Samitin e BE-së në Tiranë | Foto: Vjollca Hajdari, Facebook

    Gazeta Insajderi: Këto ditë kur situata në Kosovë është më pak e qetë, çfarë thonë ose shkruajnë politikanët gjermanë dhe mediat atje?

    Vjollca Hajdari: Për dallim nga Kancelari Scholz, i cili, siç thashë, është shumë i përmbajtur ndaj mesazheve direkte, kësaj radhe minsitrja e Jashtme Gjermane, Annalena Baerbock, ka qene me e drejtpërdrejtë dhe më e qartë, lidhur me tensionet në Kosovë. Ajo ka kritikuar drejtpërdrejtë Serbinë për politikën e saj agresive. Kjo ka zgjuar – si zakonisht – reagimet e palës serbe dhe ka nxitur retoriken provokuese të Vuçiqit. Ndonëse situata nuk duket e qetë, dhe mediat e vleresojnë situatën e tensionuar dhe fragjile. Politikanët dhe mediat gjermane janë shumë të ndjeshëm, kur sulmohet personeli i tyre, qoftë në KFOR apo në EULEX, siç ndodhi në rastin e fundit. Fakt është, që situata në Kosovë po fiton – më në fund – vëmendjen në politikën dhe mediat gjermane. Mendoj se politika dhe mediat i kanë injoruar një kohë zhvillimet atje, ndaj ka ardhur koha, që situata politike të mos nënvlerësohet, por të raportohet edhe për konfliktet e tjera, jashtë Kosovës. Flas këtu për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe më gjerë.

    Vjollca Hajdari është gazetare, publiciste, politologe dhe lobiste për çështjen shqiptare në Gjermani. Ka mbaruar studimet në Universitetin e Lirë të Berlinit, në drejtimet: publicistik dhe shkenca komunikimi, shkenca politike dhe etnologji. Ka magjistruar në publicistik, me fokus gazetarinë.

    Ajo është bashkëautore e librit më të fundit “Imigrimi nga Ballkani Perëndimor” në gjuhën gjermane.

    Analistja shqiptare shkruan për shtypin gjerman dhe ndërkombëtar, ndërkaq që analizat e saj, botohen edhe në Akademinë Evropiane.

    Si politologe ajo ka ligjëruar në Qendrën për Evropën Lindore, ka punuar në Bundestagun Gjerman dhe në Senatin e Berlinit.

    Hajdari shkruan për fondacione të ndryshme gjermane, ndërkaq që bashkëpunon me shume përfaqësi diplomatike, institute e organizata gjermane dhe ndërkombëtare.

    Ështe nderuar ne nivel gjerman e ndërkombëtar. Laudatorët e kanë cilësuar si multiplikatore  – “nje ndër gratë me influencë, si urë ndërkulturore mes Gjermanisë dhe shqiptarëve dhe një nder promovueset më të suksesshme, ne nivel ndërkombëtar, për dialogun dhe mirëkuptimin mes popujve”.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark