×
Analiza

Nga plani franko-gjerman tek plani i BE`së, çka ndrysho gjatë rrugës?

Insajderi
24 November 2022 - 11:31
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri dhe zv/kryeministri nuk po e quajnë më plani franko-gjerman propozimin për mes së cilit po synohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Të dy këta të mërkurën iu referuan si propozimi i Bashkimit Evropian. Se çka ndryshoi brenda pak ditësh, tregon kryeministri Albin Kurti.

Kaluan disa javë derisa kur përfaqësuesit e Kosovës e pranuan zyrtarisht se ekziston një plan që u është dorëzuar nga Gjermania e Franca për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, pas më shumë se 10 vjetëve nga nisja e negociatave.

Ai që njihej si plani franko-gjerman, u konfirmua në kohën kur edhe u dërguan qëndrimet zyrtare nga Kosova dhe Serbia rreth tij. Serbia e refuzoi atë, ndërsa Kosova dërgoi sipas Kurtit e Bislimit vërejtjet e tyre por në parim pajtoheshin se ishte plan i mirë.

A është plani franko-gjerman apo plan i BE-së?

Brenda një dite kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe zëvendësi i tij Besnik Bislimi ia ndërruan emërtimin nga plani franko-gjerman në propozimi i Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta Insajderi.

Këtë e bëri fillimisht Kurti në konferencën për media nga objekti i qeverisë. Tregoi se gjatë një bisede që kishte pasur me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian Josep Borrell, ky i fundit i kishte thënë se plani është i Bashkimit Evropian.

“Kur unë i thash përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell me 11 nëntor në mëngjes në Paris ku ishim për forumin e paqes propozimi franko-gjerman, tha jo nuk është ky propozim franko-gjerman ky është propozim i Bashkimit Evropian”.

“Tha a ka qenë zoti Lajçak në takim me dy përfaqësuesit e Francës e Gjermanisë, ky është pra propozim i Bashkimit Evropian. I thash në rregull zoti Borrell tash e tutje do ta quajmë propozimi i Bashkimit Evropian të mbështetur nga Franca e Gjermania”, tha Kurti në konferencën për media.

Por pavarësisht se u pajtua në këtë pikë me Borrellin, Kurti dyshon se plani është i Bashkimit Evropian, pasi thotë se po të ishte i tyre nuk do “hiqnin dorë aq kollaj”.

“Në Bruksel e pash që po të ishte propozim i Bashkimit Evropian nuk heq dorë aq kollaj, nime na qenka franko-gjerman. Si bëhet që BE aq kollaj të thotë po merremi vesh veç për targa nuk kemi ardhë për targa, paragrafi i parë thoshte që çështje e urgjencës është marrëveshja e cila ka për bazë atë propozim prandaj unë kam shkuar për këtë gjë “, tha më tej Kurti.

Vetëm pak orë pas kësaj, edhe Besnik Bislimi publikisht iu referua si propozimi i Bashkimit Evropian. Këtë e bëri kur njoftoi se arriti marrëveshje për targat mbrëmë vonë.

Bislimi përmes postimi në Twitter tha se pas marrëveshjes së sotme, Kosova dhe Serbia duhet t’i vazhdojnë bisedimet për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca.

“Pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Takimi në Bruksel mes kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkoviq u zhvillua vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Si do vazhdohet tutje me bisedimet, a ka gjasa që marrëveshja të arrihet në mars 2023?

Kryeminsirti Albin Kurti të hënën pas takimit maratonik me Aleknsadër Vuciq me ndërmetësimin e BE-së, fillimisht e kishte thënë se Bashkimi Evropian e braktisi planin e kornizës së marrvëshjes, deklaratë që e përsëriti edhe dje në konferëncë.

Bashkimi Evropian i kishte reaguar, duke thënë se kjo nuk është vërtet.

Madje kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, mbrëmë kur njoftoi për marrëveshjen për targat shtoi se të dyja palët do të ftohen ditëve në vijim për të rinisur diskutimet për marrëveshjen përfundimtare.

“Do t’i ftoj palët në ditët në vijim që t’i diskutojmë hapat e ardhshëm, brenda kornizës së propozimit, me qëllimin që t’i prezantojmë rezultatet para Grupit të Posaçëm të radhës për Normalizimin dhe për përditësimin e ardhshëm për Kapitullin 35 për Serbinë. Në rast të bllokimit nga cilado palë, ndërmjetësuesi i BE-së mund ta përfundojë procesin”, thuhet në deklaratën e Borrellit.

Kryeministri Albin Kurti për herë të parë të hënën nga Brukseli e konfirmoi se muaji mars i vitit të ardhshëm u është dhënë si afat nga ndërkombëtarët kur do të mund të arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, bazuar në atë që njihet si plani franko-gjerman.  

Kurti para mediave tha se shpreson se BE do të gjejë forcën që t’i rrijë prapa propozimit të saj për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. Duke theksuar “se pas 8 orësh takime nuk kanë marrëveshje”.

“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është Franko-Gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, deklaroi Kurti. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark