“Nga Prespa në Prishtinë: 40 vjet hulumtim për muzikën shqiptare” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Nga Prespa në Prishtinë: 40 vjet hulumtim për muzikën shqiptare”

    Insajderi
    09 October 2024 - 18:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Instituti Albanologjik-Prishtinë, gjegjësisht Dega e Folklorit, në kuadër të programit të ligjëratave dhe takimeve shkencore “Leksione albanologjike”, ka nderin ta mirëpres etnomuzikologen e njohur, profesoreshën emeritus, Jane Sugerman, e cila do ta mbajë ligjëratën publike me temën “Nga Prespa në Prishtinë: 40 vjet hulumtim për muzikën shqiptare”.

    Kjo ligjëratë do të mbahet më datë 16.10.2024 (e mërkurë), ora 11:00, në Institutin Albanologjik, salla rrethore, kati i epërm, duke shënuar kështu fillimin e programit “Leksione albanologjike”.

    Në këtë ligjëratë, profesoreshë Jane Sugarman do të flasë për hulumtimin e saj dyzetvjeçar për muzikën shqiptare, të cilin ajo e ka filluar në vitin 1980 në Prespë të Maqedonisë së Veriut. Teza e saj e doktoratës rreth riteve dhe këngëve të dasmës prespane i ka hapur shtigje të hulumtimeve të mëtutjeshme për muzikën shqiptare në diasporë, duke e zgjeruar më pas edhe në Kosovë me hulumtimet që i ka zhvilluar pas vitit 2002. Si njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe, profesoreshë Sugarman, përvojën e saj e ka orientuar në përcjellje të trendëve të muzikës shqiptare deri te muzika mediatike. Gjatë prezantimit do të reflektojë për dallimin midis hulumtimit për një komunitet të vogël rural dhe atij për një shoqëri komplekse, siç është shoqëria e sotme e Kosovës.

    Jane Sugarman është etnomuzikologe dhe profesoreshë emeritus e muzikës në Qendrën e Studimeve Pasuniversitare të Universitetit Qytetar të Nju Jorkut (CUNY) në SHBA. Që nga viti 1980 ka bërë hulumtime për muzikën shqiptare, së pari në Maqedoninë e Veriut, pastaj në disa vende të diasporës, ndëra nga viti 2002 edhe në Kosovë. Në vitin 1997 e ka botuar librin “Engendering Song: Singing and Subjectivity at Prespa Albanian Weddings”, që i analizon ritet dhe këngët e dasmës së shqiptarëve nga rrethi i Prespës në jug të Maqedonisë së Veriut. Ka botuar edhe shumë artikuj për lidhjen e muzikës dhe vallëzimit me gjininë, kombin, diasporën, globalizmin, dhe konfliktet ndërkombëtare. Momentalisht është duke përfunduar një libër për muzikën mediatike të shqiptarëve të Kosovës nga viti 1948 deri në vitin 2008.

    Profesoresha Jane Sugerman është anëtare e jashtme e redaksisë së revistës shkencore “Gjurmime albanologjike”, seria Folklor dhe Etnologji. Redaktimet dhe sugjerimet e saj akademike kanë dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme që punimet e studiuesve tanë të jenë sa më të kompletuara dhe sa më të përmbushura shkencërisht. Profesoreshë Sugerman është bashkëpunëtore e kahershme e Institutit Albanologjik-Prishtinë dhe ka qenë një dashamirëse dhe ndihmëtare e pakursyer për studiuesit e institutit tonë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark