
Dren Paca, aktualisht i transferuar në Prokuror Special nga pozita më e ulët në rangun e prokurorëve- Departamenti i Përgjithshëm në Themelore, nuk ka një CV në faqen e PSRK-së. Insajderi sjell një profil të tij, që nga koha kur punoi në Byronë e Sigurimeve e deri te shoqërimi me persona që janë përfshirë ne afera milionëshe.
Visar Duriqi
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) numëron 24 prokurorë që merren direkt me raste. Në faqen e këtij institucioni, një pjesë e madhe e prokurorëve, ani pse paguhen nga buxheti i shteti, nuk kanë vendosur biografitë e tyre.
Një nga ta është edhe Dren Paca, Prokurori Special për lidhte e të cilit me individë të përfshirë në afera milionëshe nën hetim, për të cilët ka raportuar edhe më parë Gazeta Insajderi.
Në mungesë të një CV-je të publikuar për të në faqen e PSRK-së, Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje të njëjtit, por deri tash nuk ka marr përgjigje nga ai, në këtë drejtim, Gazeta ka arritur që të ndërtoi një profil të këtij prokurori, dhe ngritjes së tij të dyshimtë.
Para se të bëhej prokuror, Dren Paca, i lindur në dhjetor të vitit 1988, kishte gjetur një punë në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) një institucion buxheti i të cilit krijohet nga kompanitë e sigurimeve e përmes policave të detyrueshme të pronarëve të automjeteve në vend- para për të cilat shteti i detyron qytetarët që ti paguajnë ose në të kundërtën nuk i lejon që ti përdorin veturat e tyre në rrugë.
Dren Paca ishte punësuar në BKS në vitin 2012, institucion ky i njohur për punësimin e familjarëve të njerëzve me ndikim në institucione të drejtësisë e institucione të tjera publike.
Dren Paca është i biri i profesorit të drejtësisë, Agim Paca.
I pyetur nga Insajderi, Prokurori Special Paca nuk ka treguar as se si ishte punësuar në Byronë e Sigurimeve, përmes konkursit apo ndonjë forme tjetër.
Sipas burimeve të Insajderit, Paca në BKS ka fillimisht kishte trajtuar dëme. Pastaj do të avancohej në detyrë duke e përfaqësuar Byronë në Gjyq, kur ishte si palë e paditur.
Ndër vite nga 112-ta, derri më 2016, ai kishte arritur që të ngritje edhe në një pozitë menaxheriale, ku u bë Drejtor i Zyrës Juridike.
Në vitin 2016 ai aplikoi në konkursin për prokurorë, dhe dokumentet që i duheshin për këtë konkurs nga vendi i tij i punës, pjesa e integritetit, ia nënshkroi ish-Drejtori Ekzekutiv në BKS, Faton Abazhi.
Nga 1 dhjetori i vitit 2016, Dren Paca, i biri i profesorit Agim Paca, bëhet prokuror. Fillimisht vendi i punës, ishte në nivelin krejt fillestar, Prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Ngritja e dyshimtë- transferi i përkohshëm që u nënshkrua nga personazhi i ‘Dosja e Shefave’
Pas disa vitesh pune si prokuror në Departamentin e Përgjithshëm, Dren Paca, dhe jo vetëm ai, do të avancohej direkt në Prokuror Special.
Derisa Departamenti i Përgjithshëm është niveli krejt fillestar në rangun e prokurorëve,, pozita Prokuror Special konsiderohet të jetë më e larta, pasi që pas saj krejt çka mbete në karrierë është Kryeprokuror i Speciales, ose edhe Kryeprokuror i Shtetit.
Por, si i bë që Dren Paca nga pozita fillestare të kaloi në atë: Prokuror Special?
Një dokument publik i tetorit të vitit 2020 tregon që Paca nga Prokuror i Departamentit të Përgjithshëm, me një vendim të Këshillit Prokurorial (KPK), për një transferim të përkohshëm, menjëherë bëhet Prokuror Special. Caktohet në Departamentin e hetimit të korrupsionit e krimit financiar.
Vendimin për të e ka nënshkruar Bahri Hyseni, atë kohë në krye të KPK-së, një personazh i rëndësishëm i “Dosja e Shefave’, një seri raportimesh të Gazetës Insajderi që kishte zbuluar mënyrën se si personazhe të fuqishme të partisë, atëherë në pushtet, PDK, operonin dhe shtrinin ndikimin e tyre deri në institucionet e pavarura sipas ligjit e për nevojat e partisë.
“Unë s’kum kunkuru. S’kum kunkuru unë. Hiq s’kum konkuru”, është një nga momentet e Bahri Hysenit që ishte bërë virale në nëntë vite më parë kur u publikuar kjo dosje nga Insajderi, e derisa Adem Grabovci I thoshte “Jo mor ki konkuru, qëtu na e kem emrin ton. Bahri Hyseni”.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Prokurorin Special Dren Paca se cila ka qenë lidhja e tij me Bahri Hysenin, dhe cilat kritere janë përdorur për transferimin e tij në PSRK, por I njëjti deri tash nuk është përgjigjur.
Transferim i përkohshëm i vitit 2020, por Dren Paca edhe sot është Prokuror Special, gjysmë dekade më vonë.
Në po atë vit, Insititui I Kosovës për Drejtësi pati publikuar raportin “Cenimi I integritetit të Këshillave nga Këshillat”, një monitorim i funksionimit të Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial.
Një pjesë e mirë e këtij raporti flet edhe për transferimet e përkohshme, ku ishte bërë kritikë për këtë praktikë që ngiste dyshime pasi që nuk pati konkurs, pos emra të caktuar në mbledhje të KPK-së u avancuan, siç është rasti i Dren Pacës nga prokuror krejt në fund të rangut, në Prokuror Special.
“KPK të ndalë praktikën e avancimit të prokurorëve në emër të transferimit të përkohshëm.; Secilit transferim dhe avancim t’i paraprij një analizë e KPK-së mbi efektet që ky transferim/avancim ka në dy (2) prokuroritë, asaj prej nga vjen dhe asaj se ku transferohet/avancohet”, thuhej në rekomandimet e këtij raporti.
Shoqërimi me personazhin e dallaveret me tokën 3 hektarshe në Veterrnik, Venhar Hana
Muaj më parë Gazeta Insajderi pati publikuar hulumtimin “Shteti bën raport për ish avokatin e Byrosë, transaksione të dyshimta me vlera të mëdha të pronave”.
Në këtë hulumtim, pos raportit që nga Policia e Kosovës, më informacione të Njësisë së Inteligjencës Financiare (NjIF) u deponua në Prokurori e ku personazh kryesor ishte avokati Venhar Hana, Insajderi kishte përmendur e argumentuar edhe me fotografi miqësinë që Hana kishte me Prokurorin Special Dren Paca.
Ky i fundit, edhe pse ishte kontaktuar me kohë dhe madje i ishte dhënë hapësirë versionit të tij në publikimin e Insajderit, megjithatë vendosi që të niste një rast kundër gazetës në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).
Ishte ankuar për shkelje të Kodit të Etikës.
Megjithatë, KMSHK-ja nuk gjeti se në këtë raportim ka pasur shkelje.
“Ankesa e Dren Pacës kundër Insajderi.org për shkrimin “Shteti bën raport për ish avokatin e Byrosë, transaksione të dyshimta me vlera të mëdha të pronave” është hedhur poshtë, pasi që KMShK nuk ka gjetur prova se media ka shkelur kodin e etikës, përkatësisht Kapitullin II që katë bëjë me raportimin e të vërtetës”, thuhet në komunikatën e KMSHK-së.
Një media nga Republika e Shqipërisë në vitin 2023 kishte ngritur dyshime që Prokurori Special, sipas tyre, shoqërohej me njerëz të botës së krimit.
Artikulli kishte të bënte me toka 3 hektarëshe në Veternik në vlerë prej miliona eurove, ku sipas mediumit, brenda 9 muajsh “përmes një dokumenti të falsifikuar doli në emër të një grupi qytetarësh me pozita të fora në gjyqësi, prokurori dhe institucione tjera shtetërore, ndërkohë pronarët realë prej vitesh po rropateshin ta kthenin pronën në emër të tyre.
Mediumi kishte nxjerr në publik një fotografi me personazhe të personave, që ata pretendonin që janë të përfshirë, dhe në mesin e tyre si mik i grupit ishte edhe Prokurori Special, Dren Paca.
Në vitin 2022 ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, derisa ishte në proces gjyqësor me një aktakuzë të ngritur nga Dren Paca pati kërkuar përjashtimin e tij me arsyetimin se bashkëshorti i saj njihet me babain e tij, Agim Paca dhe se ky prokuror këtë fakt e ka fshehur.
“Kur e kam pyetur bashkëshortin tim, ai me ka njoftuar se nuk e njeh gjyqtarin e çështjes, mirëpo e njeh, pra ka lidhje shoqërore dhe e njeh babain e prokurorit Dren Paca, z.Agim Paca, i cili ka qene i angazhuar si profesor ne Kolegjin ESLG ku bashkëshorti ka qenë pronar në vitin akademik 2012-2013 dhe duke shtuar pra këtë fakt ky prokuror i rastit ka fshehur këtë fakt”, pati thënë Hoxha.
Cila është pasuria e Dren Pacës?
Paca në deklarimin e pasurisë të vitit 2024 thotë që pos në PSRK, si trajner është i angazhuar edhe në Akademinë e Drejtësisë, ku realizon të hyra të tjera në bazë të angazhimit. Aty u angazhua nga viti 2023-2026.
Si Prokuror Special, ku u transferua përkohësisht më 2020, ai realizon mbi 33 mijë euro të hyra vjetore.
Bruaja e tij ka mbi 6 miijë euro të hyra vjetore nga puna që ka në Ministrinë e Brendshme.
Dren Paca ka deklaruar që e ka edhe një vlerë prej 30 mijë eurosh që e ka marrë hua, por nuk ka treguar se nga kush e ka marrë këtë borxh. Nuk ka treguar se as kur e ka marrë e kur e ka afatin e kthimit, por nuk ka listuar ndonjë person nga kush i huazoi paratë.
Ka deklaruar edhe një banesë të blerë me kursime në vitin 2020- vitin kur u avancuan ë Prokuror Special nga Departamenti i Përgjithshëm.
Këtë banesë thotë prej mbi 65 metrash katror thotë se e ka blerë vetëm 26 mijë euro, derisa banesa e prindërve të tij e blerë në vitin 2001, sipas tij, me vetëm 75 metra katrorë kushton 100 mijë euro. /Gazeta Insajderi/