Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në një intervistë për Gazetën Insajderi ka folur për punën e institucionit që e udhëheqë tash e më shumë se një vit.
Ajo ka treguar në detaje për fushat që i mbulon AIP, mbi Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, shkeljen e privatësisë nga institucionet publike dhe private, gjobat që ka shqiptuar…
Komisionerja po ashtu ka sqaruar nëse ka pasur presion nga njerëzit e fuqishëm, dhe për atë se a i është shkelur ndonjëherë asaj privatësia.
Në fund të intervistës mund të zbuloni disa informata për jetën dhe pasionet e zonjës Sogojeva-Dermaku, përgjigje këto që nuk prekin privatësinë e saj 😀
Intervista e plotë e Gazetës Insajderi me Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisioneren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi:
Gazeta Insajderi: Agjencia për Informim dhe Privatësi së fundmi ka dënuar me gjobë Ministrinë e Punëve të Jashtme për shkak që nuk ka kthyer përgjigje në një kërkesë për Qasje në Dokumente Publike, të Gazetës Insajderi. A është ky rasti i parë që keni dënuar një institucion publik më gjobë?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Agjencia për informim dhe Privatësi i ka shqiptuar gjobë edhe tri (3) institucioneve të tjera për moszbatim të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike.
Gazeta Insajderi: A jeni kontaktuar nga ndonjë institucion, ose person tjetër pas dënimit që e keni shqiptuar për MPJ-në?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Jam kontaktuar nga gazetarët/mediat për sqarime rreth Vendimit.
Gazeta Insajderi: Sa raste të kësaj natyre ka trajtuar Agjencia për Informim dhe Privatësi?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Nëse i referoheni rasteve për refuzimin e qasjes në faturat për shpenzimin e parasë publike, Agjencia për Informim dhe Privatësi në këtë vit ka trajtuar gjashtë (6) ankesa të kësaj natyre.
Gazeta Insajderi: A janë dhënë edhe gjoba të tjera?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Agjencia nga Janari 2022 ka shqiptuar katër gjoba për mohim të së drejtës për qasje në dokumente publike.
Gazeta Insajderi: A keni pasur ndonjëherë presion në mënyrë që mos t’i dënoni personat me ndikim?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Ligji për qasje në dokumente publike trajton obligimin e institucioneve dhe të drejtat e qytetarëve në raport me qasjen në dokumente publike, gjithnjë nëse ato nuk përjashtohen mbi bazën e të njëjtit Ligj, e jo pozita dhe persona. Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi mbikëqyrë zbatimin e këtij Ligji dhe mbi bazën e autorizimeve ligjore vendos mbi ankesën e secilit qytetar ndaj secilit institucion në mënyrë të pavarur.
Gazeta Insajderi: Kohë më parë i keni marrë disa vendime për institucionet private, dhe jo vetëm – pasi të njëjta kanë pasur të vendosura kamera brenda hapësirave të brendshme. Çfarë masa janë marrë ndaj të njëjtave?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Në kuadër të kompetencave dhe mandatit ligjor, zyrtarët e Agjencisë kanë kryer inspektime për të mbikëqyrë ligjshmërinë e përpunimin të të dhënave personale tek kontrolluesit të cilët kanë pasur të vendosur sistem të vëzhgimit me kamerë. Gjatë inspektimit është gjetur se këta kontrollues nuk përmbushin kriteret e parapara për përpunimin e të dhënave personale përmes video-vëzhgimit, kështu që në zbatim të nenit 71 të Ligjit Nr.06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale kanë urdhëruar ndalimin e përpunimit deri në plotësimin e të gjitha kritereve të përcaktuara dhe kanë urdhëruar shkatërrimin e të dhënave që janë përpunuar përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë.
Gazeta Insajderi: A keni shqiptuar gjoba kundër tyre?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Deri më tani nuk kemi shqiptuar gjoba për këto biznese, ngase ende nuk kemi përfunduar fazën e kontrollit për zbatimin e vendimeve detyruese.
Gazeta Insajderi: A i keni monitoruar të njëjta më pas nëse i kanë fshirë të dhënat personale, ashtu siç ka kërkuar Agjencia?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Agjencia është duke vazhduar me fazën e kontrollit. Bizneset që janë kontrolluar deri tani kanë zbatuar vendimin e AIP.
Gazeta Insajderi: Qytetarët shpesh pranojnë sms nga kompani të ndryshme, me qëllim të reklamimit të tyre. Çfarë ka bërë Agjencia për Informim në parandalimin e tyre?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Agjencia ka nxjerrë Udhëzuesin lidhur me përpunimin e të dhënave që bëhet për qëllime të aplikimit të marketingut të drejtpërdrejtë, të cilin e ka publikuar në web- faqe zyrtare të AIP-së dhe në rrjetin social Facebook të administruar nga AIP. Kjo është bërë me qëllim të ndërgjegjësimit të kontrolluesve dhe përpunuesve (institucione publike dhe private) për t’i njoftuar me obligimet e tyre në raport me mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, që grumbullohen për qëllime legjitime të operimit të tyre. Po ashtu, Udhëzuesi ka për qëllim edhe njoftimin e qytetarëve për të drejtat e tyre në mbrojtjen e privatësisë për sa i përket marketingut të drejtpërdrejtë.
Agjencia ka trajtuar ankesa të qytetarëve për përpunimin e të dhënave përmes marketingut të drejtpërdrejtë dhe ka nxjerrë vendime detyruese, të cilat janë publike në web-faqen e AIP-së.
Gazeta Insajderi: A është shqiptuar deri tash ndonjë gjobë ndaj reklamuesve të tillë?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Gjatë këtij viti është shqiptuar një (1) gjobë për shkelje të dispozitave ligjore të mbrojtjes së të dhënave personale përmes marketingut të drejtpërdrejtë.
Gazeta Insajderi: Institucionet publike, sidomos komunat publikojnë lista me të dhënat e personave, kur ata fitojnë ndonjë pozitë pune, apo edhe ndonjë grat. Sa raste të tilla i keni identifikuar?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Për sa i përket publikimit të kategorive të të dhënave personale duke përfshirë emrin dhe mbiemrin të personave që janë pranuar apo kanë filluar punë në institucionet publike, publikimi i tyre (emër dhe mbiemër) si zyrtar publik është proporcional për qëllimin e përpunimit.
Gjithsesi, AIP ka shqiptuar katër gjoba deri më tani për publikim të listave me të dhëna personale nga ana e institucioneve, për faktin se publikimi i këtyre të dhënave nuk ka qenë proporcional me qëllimin e përpunimit, duke bërë shkelje në privatësinë e subjektit të të dhënave.
Gazeta Insajderi: Dhe, a janë marrë masa ndaj tyre?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Për publikimin e të dhënave personale të tepërta pa bazën e duhur ligjore, janë ndërmarrë masa nga AIP duke shqiptuar gjobë, gjithmonë referuar rasteve që kemi inspektuar deri më tani.
Gazeta Insajderi: Çështja e shkrepjeve në hapësira publike (si në restorante, apo edhe vende të tjera), kur mund të shihen persona të tjerë, a konsiderohet shkelje e privatësisë?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Rastet e tilla vlerësohen një për një (rast për rast) për të përcaktuar nëse plotësohen parimet dhe kriteret legjitime të mbrojtjes së të dhënave.
Një nga parimet themelore është parimi i kufizimit të qëllimit. Ky parim dikton që të dhënat personale mund të grumbullohen vetëm për qëllime të caktuara, të qarta dhe legjitime dhe nuk mund të përpunohen më tutje në kundërshtim me këto qëllime. Kërkimi i pëlqimit nga ana e subjektit të të dhënave legjitimon publikimin e shkrepjeve të tilla. Ligji gjithashtu u jep të drejtë individëve të tërheqin pëlqimin e tyre të dhënë.
Gazeta Insajderi: Znj. Sogojeva-Dermaku, a mund të na tregoni si të mbrohen qytetarët nga ekspozimi i të dhënave personale?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar kur japin të dhënat e tyre personale, respektivisht se cilat kategori të të dhënave i ofrojnë. Qytetarët duhet të kërkojnë informacione nga kontrolluesit e të dhënave se si përpunohen të dhënat e tyre, mbi cilën bazë ligjore, për cilat qëllime përpunohen ato, ku ruhen dhe për sa kohë ruhen. Po ashtu, qytetarët duhet që me kujdes të shtuar t’i lexojnë politikat e privatësisë që ofrohen nga kontrollues të ndryshëm online. Qytetarët nuk duhet të ekspozojnë/publikojnë të dhënat e tyre personale në rrjete sociale apo platforma publike pasi që në ato të dhëna lehtë mund të kenë qasje persona të paautorizuar, të cilët mund t’i keqpërdorin ato.
Më poshtë ju lutem gjeni disa pyetje që lidhen me jetën tuaj, por që nuk e prekin privatësinë 🙂
Gazeta Insajderi: A keni vendosur për pushime, dhe a ju pëlqen më shumë deti apo mali?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Për pushime nuk kam vendosur. Nuk i dalloj shumë, sikurse deti edhe mali na ofrojnë mundësi të mirë për ndryshim nga përditshmëria.
Gazeta Insajderi: Cila është zhanri muzikor që ju e dëgjoni më shumë, dhe na përmendni ndonjë këngë që e keni më të preferuar?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Dëgjoj të gjitha zhanret muzikës.
Gazeta Insajderi: Po filma, a keni kohë të shihni?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Rrallë.
Gazeta Insajderi: Meqë tash jeni Komisionere për Privatësi, a lexoni më shumë libra që lidhen me këtë fushë, apo edhe zhanre të tjera?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Aq sa më premton koha, gjithsesi lexoj, natyrisht me prioritet kam përmbushjen e obligimeve ligjore që kam si Komisionere dhe kjo më imponon të jem më shumë e orientuar në literaturën që lidhet me punën time aktuale.
Gazeta Insajderi: A keni pasur ju ndonjë rast kur juve u është shkelur privatësia?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Jo, nuk kam pasur.
Gazeta Insajderi: Cila punë ju ka intriguar më shumë, kjo si Komisionere, apo pozitat që keni pasur më herët?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Secila nga pozitat, ka pasur rëndësinë e vet, andaj nuk do t’i ndaja.
Gazeta Insajderi: Prej se e keni marrë pozitën, cila ka qenë sfida më e vështirë që e keni pasur, apo edhe vendimi më i zorshëm që e keni marrë?
Krenare Sogojeva-Dermaku: Në raport me vendimmarrjen nuk do të kish theksuar ndonjë vështirësi, përpiqem maksimalisht t’i respektoj detyrat e mia zyrtare, të përcaktuara me ligj.