Nga qeverisje në detyrë në uzurpim me mandat - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Nga qeverisje në detyrë në uzurpim me mandat

    Insajderi
    19 July 2025 - 16:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në një shtet, rrënimi nuk ndodh vetëm kur drejtësia dështon – por kur pushteti e sulmon, sa herë që ajo guxon të funksionojë.

    Shkruan: Doruntinë Meha

    Qeveria në detyrë në Kosovë, e udhëhequr nga një kryeministër po ashtu në detyrë dhe tashmë i shpallur i paligjshëm nga vetë Gjykata, ka instaluar një model ku vendimet e gjykatave zbatohen vetëm nëse përputhen me vullnetin politik të shumicës. Precedenti është i qëndrueshëm: ky pushtet nuk e ka pranuar kurrë autoritetin e pavarur të gjyqësorit. Çdo nivel gjyqësor – nga shkalla e parë deri te Gjykata Kushtetuese – është etiketuar si i njëanshëm, i porositur apo “i kapur”, sa herë që ndonjë vendim ka goditur interesat politike apo ligjore të qeverisë.

    Sulmi institucional është bërë normë. Ministrat në detyrë nuk kanë hezituar të komentojnë publikisht vendime të gjykatave me tone përçmuese, duke shpërndarë insinuata të rrezikshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm si reagim spontan – është kthyer në strategji. Sa herë që një ministër është ftuar nga Prokuroria Speciale për hetime mbi korrupsion apo keqpërdorim detyre, reagimi ka qenë i njëjtë: delegjitimim i prokurorisë, viktimizim politik dhe diskreditim personal i prokurorëve.

    Këtë javë, Gjykata Supreme shpalli të paligjshëm udhëzimin administrativ për pajisjet fiskale, duke e rrëzuar për mungesë kompetencash dhe bazë ligjore. Por në vend të reflektimit institucional, publiku pa të njëjtin skenar të njohur: qeveria nxori përpara ministrin e Financave – një ekonomist, jo jurist – për të komentuar vendimet e gjykatës. Ky është po ai ministër që rregullisht e merr rolin e zëdhënësit “de facto” të drejtësisë, në mungesë të guximit të juristëve të partisë për të folur për vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo asaj Supreme.

    Për këtë qeveri, gjykatat janë legjitime vetëm kur heshtin. Kur vendosin, shpallen të kapura. Dhe kur prekin ndonjë akt të paligjshëm të qeverisë, etiketohen si armiq të popullit. Kjo nuk është krizë politike – kjo është degradim institucional.

    Më shqetësuese se kaq është zhbërja e autoritetit të sistemit të drejtësisë në tërësi. Prokuroria është sulmuar në mënyrë sistematike, sa herë që është marrë me raste që përfshijnë figura të larta të kësaj qeverie. Kryeministri në detyrë, që nga nëntori i kaluar refuzon të paraqitet në Prokurori për rastin e Rezervave Shtetërore, e përbuz drejtësinë me një arrogancë publike që do të duhej të ishte e paimagjinueshme në një republikë parlamentare. Ai nuk bashkëpunon me drejtësinë – ai e injoron. Dhe kjo arrogancë është bërë e mundur vetëm sepse pushteti ka vendosur që nuk e njeh drejtësinë kur ajo nuk i shërben.

    Kjo qeveri nuk ka më legjitimitet institucional. E gjithë qeveria është në detyrë. Por edhe më keq: është në shkelje të Kushtetutës. Gjykata Supreme ka konstatuar se kryeministri dhe disa nga ministrat janë në pozitë të paligjshme, pasi vazhdojnë të mbajnë dy funksione: si deputetë dhe si ministra në detyrë, gjë që përbën uzurpim të institucioneve dhe cenim të rendit kushtetues.

    Përkundër kësaj, qeveria vazhdon të sillet si e përhershme. Nuk është rastësi që po vonohet me çdo kusht konstituimi i Kuvendit – jo për shkak të ndonjë debati për emra, por sepse me atë akt nis afati kushtetues për formimin e qeverisë së re. Dhe kjo është frika më e madhe e këtij pushteti: jo rotacioni, por humbja e kontrollit mbi drejtësinë.

    Në një shtet të së drejtës, askush nuk është mbi ligjin. Në Kosovën e sotme, ligji zbatohet vetëm kur nuk prek pushtetin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark