“Hetimi i plotë, dhe vendosja e drejtësisë ligjore për këtë ngjarje do të jetë prioritet i yni qeveritar”, thoshte më 24 tetor 2019, opozitarja e zëshme, Albulena Haxhiu. Tash kur kjo e fundit është në pushtet, nga ‘duart’ e saj janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kur ishte në opozitë, kishte thënë se rasti i Astrit Deharit do të ishte prioriteti i qeverisë së Albin Kurtit.
“Hetimi i plotë, dhe vendosja e drejtësisë ligjore për këtë ngjarje do të jetë prioritet i yni qeveritar”, kishte thënë më 24 tetor 2019, opozitarja e zëshme, Haxhiu.
“Ne do të punojmë pa ndalë, derisa të vie në vend drejtësia për aktivistin tonë, Astrit Deharin”, deklaronte ajo nga zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, shkruan Gazeta Insajderi.
Tash kur kanë kaluar tri vjet nga këto deklarata, duket se Qeveria që dikur Haxhiu thoshte “do të punonte pa ndalë”, mbrëmë e ka ndalur punën për pak minuta.
Kjo pasi në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, institut ky që është nën ombrellën e ministrisë së Drejtësisë të udhëhequr nga Albulena Haxhiu, e cila sot e ka lajmëruar vet rastin, ndonëse që moti kërkonte me ngulm Drejtësi për Astrit, dhe deklaronte se do të bënte çmos për të sjell drejtësi në vend.
Por, gjatë natës së kaluar Haxhiu është njoftuar se pikërisht në institucionin që ajo drejton janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.
“Mbrëmë jam informuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë”, ka thënë Haxhiu para gazetarëve.
“Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND”, tha Haxhiu në konferencën e jashtëzakonshme për media, shkruan Gazeta Insajderi.
Ajo tutje njoftoi se vetëm tre persona kanë pasur qasje në to.
“Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urnës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, tha Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas saj, kjo situatë e rëndë vë hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Dhe nëse ndiqet protokolli, ajo ka thënë se do të jetë e thjeshtë që të gjenden përgjegjësit.
“Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt, dhe nëse ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë as nuk zmbrapsen nga protokolli e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale. Këtë guxim mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari”, tha tutje e para e drejtësisë, Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.
Më tej ministrja tha se rasti do të zbardhet deri në fund.
“S’ka dyshim e as kompromis”, tha Haxhiu e cila nuk e mori përgjegjësinë mbi vete, pavarësisht se e udhëheqë ministrinë e Drejtësisë, nën urdhrat e të cilës punon Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Haxhiu e la fajin te autorët, që sipas saj do të gjenden, por më 2019 kishte thënë se përgjegjësit e institucioneve që lidhen me rastin e Astrit Deharit “duhet të shkarkohen”.
Deri në këto moment, kur kanë kaluar disa orë nga njoftimi zyrtar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, askush nuk është dorëhequr apo shkarkuar, pos katër punonjësve të Institutit të Mjekësisë Ligjore që janë pezulluar nga puna.