×
Analiza

Nga rrëmbimi tek caktimi i masës së paraburgimit – Krejt çka ndodhi deri tani me tre policët kosovar

Insajderi
16 June 2023 - 17:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Rifat Zeka, Beqir Sefini dhe Mustafa Shemi, janë tre zyrtarët policorë të Kosovës të cilët kanë përfunduar në burgun e Serbisë. Ata u rrëmbyen nga Njesië Speciale serbe në mënyrë të orkestruar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se policët kufitarë u rrëmbyen brenda kufijve të Kosovës, derisa po kryenin punën e tyre. Nga ana tjetër presidenti serb, Aleksandër Vuçiq tha se  policët u arrestuan 1.8 kilometra larg kufirit, sipas tij në territorin serb. 

Gazeta Insajderi ju sjell detajet e rastit.

Policëve të rrëmbyer, dy ditë më parë (14 qershor), sot iu është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj. Ata nga Prokuroria në Kralevë po akuzohen se kanë kryer veprat penale  “mbajtje dhe mbajtje pa leje e armëve dhe lëndëve shpërthyese”.

“Gjykata në Kraljevë caktoi paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Duke ditur praktikën e gjykatave, kjo është bërë pothuajse me siguri për dy arsye: a) rrezik ikje; b) shqetësimi i publikut: këta janë emra të bazave ligjore, jo domosdoshmërisht fakte. Ky paraburgim mund të zgjasë deri në 6 muaj gjatë hetimit (kontrollohet çdo 30 ditë me vendim të ri gjyqësor) dhe gjatë gjykimit mund të zgjasë deri në përfundim të gjykimit”, ka shkruar Avokati serb, Çedomir Stajkoviç në Twitter.

Ka qenë, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, e cila publikoi videon ku shiheshin forcat e xhandarmërisë serbe të armatosur dhe me maska që shoqërojnë 3 policët, të cilëve u ishin lidhur duart nga prapa me pranga.

@insajderiofficial #Kosova #fyp #foryoupage #fypdongggggggg #fypシ゚viral #kosove #kosovo🇽🇰 #shqipet #albania #albania🇦🇱 #albanich🇦🇱🇦🇱🇦🇱 #serbia #policiaekosovës #policia #lajmeshqip ♬ original sound – GazetaInsajderi

Si ndodhi rrëmbimi sipas Kosovës

Policia e Kosovës ka deklaruar se policët e njësisë policore patrulluese të kufirit kanë qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për  të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Ata kanë kërkuar forca shtesë pasi kishin pikasuar persona të maskuar dhe të armatosur në afërsi të kësaj pike.

Kur kanë shkuar forcat shtesë nuk kanë gjetur policët por makinën e tyre. 

“Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare… Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj” shkruante Svelça.

Edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça tha se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës dhe kërkoi ndërhyrjen urgjente të ndërkombëtarëve. 

“Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare… Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj” shkruante Svelça.

Versioni i Serbisë për policët e rrëmbyer

Nga Beogradi, drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se pjesëtarët e policisë së Kosovës,  u arrestuan “në thellësi të territorit të Serbisë”, në një fshat në afërsi të Rashkës dhe se policia serbe nuk ka shkelur territorin kosovar. 

“Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 (të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara) dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative. Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarët e policisë së Kosovës”, tha Petar Petkoviç, duke theksuar se Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme”, thuhet në reagimin e tij.

KFOR nuk ishim në atë “zonë në momentin e arrestimit”

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 15 qershor se nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur arrestimi i tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe një ditë më parë.

Ka qenë kryeministri Kurti ai i cili në mënyrë direkte ka akuzuar KFOR-in për mos kryeje të përgjegjësive.

I indinjuar nga Kuvendi i Kosovës, Kurti tha se për pa përgjegjësinë e KFRO-it ia kishte shprehur edhe ambasadorëve të QUINT-it dhe përfaqësues diplomatik e zv.ambasadorë të shteteve të tjera me të cilët kishte pasur para se të raportonte në parlament, para deputetëve.

KFOR, ka konfirmuar për Insajderin se trupat e tyre nuk ndodheshin në atë zonë në momentin e siç deklarojnë ata “arrestimit” të policëve.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë. KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”, thuhej në përgjigjen e tyre.

Kosova kërkon lirimin e policëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti agresion nga ana e Serbisë. Ndërsa, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi lirimin e menjëhershëm, të tre policëve të rrëmbyer.

“Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës. Si inkursioni i forcave ashtu edhe rrëmbimi janë akte të hapura agresioni ndërkombëtar. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të oficerëve dhe që komuniteti ndërkombëtar të denoncojë këto akte” shkruante Kurti në një reagim në Twitter.

Serbia po hakmerret ndaj arrestimit të Millun Millenkovic, u shpreh Kurti mes tjerash dhe shtoi se bëhet fjalë për përpjekje destabilizuese.

Lirimin e policëve e kanë kërkuar edhe akterët tjerë, si kryetarët e opozitës, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj e anëtarë tjerë të shoqërisë civile.

Në anën tjetër, Aleksandër Vuçiq tha se Kurti po provokonte luftë dhe se  policët ishin arrestuar, në territorin serb 1.8 km larg kufirit. 

“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS) teksa shtoi se “Albin Kurti dëshiron të provokojë luftë, dëshiron konflikt me çdo kusht”.

SHBA e Britania kërkuan lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor të kidnapuar nga Serbia.

Qëndrimi i SHBA-ve u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, tha ai.

Miller tha gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja” .

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se do të mbajnë një fjalim pasi t’i kenë të gjitha provat dhe të zbardhet i tërë rasti “që të kuptohet se a kanë hyrë policët e Kosovës në Serbi apo kanë qenë trupat serbe ato që kanë hyrë në Kosovë dhe i kanë marrë policët e Kosovës.

Ndërkaq, në një deklaratë me shkrim të publikuar në webfaqen e Qeverisë së Britanisë të Madhe, gjithashtu u kërkuan përmbajtje maksimale nga Kosova dhe Serbia.

Tutje, aty kërkohet të shmangen masat e njëanshme dhe t’i ulin tensionet dhe policët të lirohen.

“Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor“.

BE: Kemi komunikim me të dyja palët dhe me KFOR-in se çfarë dhe si ndodhi me policët

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shtendosin situatën shpejt, me urgjencë dhe në mënyrë kuptimplote.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, tha se për BE-në është e rëndësishme që të qartësojë rrethanat e, siç e quajti, arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe të sigurisë.

Ai tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell i ka ftuar kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq për një takim krize javën e ardhshme në Bruksel, për shkak të tensioneve dhe mungesës së hapave thelbësorë për shtendosje.

“Jemi në dijeni të arrestimit të policëve të Kosovës nga autoritetet serbe. Ne jemi në komunikim me të dyja palët dhe me KFOR-in për të kuptuar saktësisht se çfarë ndodhi dhe si ndodhi. Kjo është shumë e rëndësishme që ta kemi në tavolinë; qartësimi se çfarë ndodhi dhe si ndodhi. Deri atëherë ne i bëjmë thirrje të dyja palëve që vërtetë të mos bëjnë asgjë, asnjë aksion ose reagim që mund të ndez më shumë situatën tashmë të tensionuar. E ripërsërisim thirrjen tonë për të dyja palët që të shtendosin situatën; shpejt, me urgjencë dhe në mënyrë kuptimplote”, deklaroi Stano.

Kurti s’ka vendosur nëse do t’i shkojë në takim Borrellit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se ende nuk ka vendosur se a do të shkojë në Bruksel, në një takim të thirrur nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Borrell, një ditë më parë ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situatës. Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëherë marr ftesë për takim në Brukesl. Kurse, kur kërkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën”, tha Kurti.

Si erdhi deri tek eskalimi i situatës

Tensionet fillestare nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq nën shoqërimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë dhe kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

/Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark