Rrugëtimin i një deputeti në shtetin ku akoma pretendohet që ‘Kosova është Serbi’, angazhimin për shqiptarët e diskriminuar të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit dhe jetën përtej politikës në një intervistë për Gazetën Insajderin i ka rrëfyer deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Duke qenë i vetëm në ulësen e deputetit përballë 249 deputetëve serb, Kamberi tregon për vështirësitë që has në një shtet autoritariste ku dominon vetëm një njeri dhe ku fryma pro-ruse është me e pranishme se ajo evropiane.
Jeta jashtë politikes, Kamberin e karakterizon si një familjari i përkushtuar, një dashamir të librit dhe një tifoz i klubit katalunas. Real Madrid.
Intervista e plotë e Gazetës Insajderi me Shaip Kamberin, deputetin e Luginës së Preshevës në parlamentin e Serbisë:
Gazeta Insajderi: Zgjedhjet e 3 prillit në Serbi u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë. Pse ndodhi kjo?
Shaip Kamberi: Në Luginë të Preshevës ka një traditë të gjatë të bojkotit të zgjedhjeve parlamentare nga shumë parti. Tani kur ato kanë ndryshuar qëndrimin vet ndaj pjesëmarrjes e kanë pasur të vështirë të bindin elektoratin e vet për pjesëmarrje. Këto zgjedhje u mbajtën të ndara nga zgjedhjet lokale. Zakonisht kur zgjedhjet parlamentare mbahen krahas zgjedhjeve lokale, pjesëmarrja e elektoratit është më e madhe dhe faktori i tretë është migrimi. Shumë zgjedhës duke shfrytëzuar mundësinë e punësimit të përkohshëm nëpër vendet e BE-së nuk ishin prezent në atë kohë. Për Medvegjë është karakteristikë pasivimi i cili ka ndikuar edhe në shlyerjen nga regjistri zgjedhor të shumë zgjedhësve.
Gazeta Insajderi: Si i bindët autoritet serbe që zgjedhjet të përsëriteshin mbi pesë herët vetëm për ju?
Shaip Kamberi: Sipas ankesës tonë zgjedhjet janë përsëritur vetëm një herë, herën tjera zgjedhjet janë përsëritur me ankesë të Partisë Socialiste kur ne kemi arritur rezultatin e dëshiruar. Vlen të përmendim se secila ankesë e jona është refuzuar nga Komisioni republikan zgjedhor prandaj edhe jemi detyruar që procesin ta bartim te gjykata administrative. Shkeljet procedural për të cilat ishim ankuar ne ishin të “natyrës absolute”, shkelje për të cilat gjykata do të duhej të kujdesej sipas detyrës zyrtare.
Gazeta Insajderi: A e shfrytëzoi Presidenti Vuciq rastin tuaj për kthimin në rivotim pesë herë, për të “dëshmuar” se Serbia është gjojase vend demokratik?
Shaip Kamberi: Mendoj se është e kundërta. Vetë detyrimi për të garuar në pesë raunde për të legjitimuar një deputet shqiptar dëshmon jotolerancën e Serbisë ndaj shqiptarëve. Çështja është edhe a do të duhej të ishim dorëzuar ne në këtë garë që Vuçiqit t’i marrim “dëshminë se Serbia është demokratike”. Kjo që ka ndodhë me ne nuk ka ndodhë as edhe me një listë të pakicave. Serbia për pesë herë me radhë është munduar të pengojë listën tonë për të marrë votat e mjaftueshme.
Gazeta Insajderi: Nëse nuk do të zgjidheshit deputet, sa e vështirë do të ishte të mbrohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Shaip Kamberi: Në një Serbi autoritariste që dominuar nga një njeri, e cila gjithnjë e më tepër po shpërfaq fytyrën e vet antievropaine dhe pro-rusë, nuk është e lehtë as tash që të luftojmë për të drejtat e tona. Një apo disa mandate deputetësh nuk janë garanc se do të mbrojmë të drejtat e tona. Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare është vetëm pjesë e luftës tonë politike, për angazhim për të drejtat e tona duke shfrytëzuar gjithë mekanizmat e disponueshëm: pushtetin vendor, Këshillin kombëtar dhe përfaqësimin parlamentar.
Gazeta Insajderi: Z.Kamberi së fundi jeni kërcënuar me shpërngulje nga deputetja serbe, cilat kanë qenë kërcënimet tjera që keni marrë nga pala serbe gjatë tërë viteve si deputet?
Shaip Kamberi: Ishte një deklaratë e një deputete (me origjinë nga Peja) të ngarkuar me mllef antishqiptar. Një kërcënim i cili nuk ka bazë ligjore të realizohet. Absurdi ishte se as president i republikës e as krye-parlamentari nuk reaguan. Kjo është vetëm shpërfaqje e fytyrës së nacionalizmit serb të veshur me petkun “demokratik”. Nuk është hera e parë që dikush në Serbi të deklarohet për mua pas fjalimeve të mia. Është shtypi i përditshëm beogradas nën patronatin e plotë të presidentit serb, që më anatemon pas çdo fjalimi. Paraqitjet e mia nuk do të varen as nga kërcënimet e as nga anatemat e tyre, por, nga nevojat e bashkëkombëseve, parimeve të luftës për të drejta.
Gazeta Insajderi: Keni kërkuar që shqiptarët e Luginës të jeni të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, a u është pranuar kjo kërkesa nga qeveria Kurti?
Shaip Kamberi: Kërkesa jonë ka të bëj me faktin se çështja e të drejtave të shqiptarëve të Luginës duhet shtruar në dialogun me Serbinë, në përputhje me parimin e reciprocitetit. Këtë e kemi kërkuar nga secila qeveri e deritashme në Prishtinë, po ashtu edhe nga kjo aktuale. Besoj se askush në Prishtinë nuk është kundër kësaj kërkese, por, do të duhet parë se cilat janë mundësitë që ajo edhe të realizohet. Personalisht besoj se nuk mund të ketë marrëveshje të mirëfilltë me Serbinë, deri sa nuk trajtohet në mënyrë të drejtë edhe pozita e shqiptarëve të Luginës.
Gazeta Insajderi: A mendoni që dialogu do te përmbyllet këtë vit me njohje reciproke ndaj dy vende?
Shaip Kamberi: Po jetojmë në kohën e non-paper-ave. Po shohim shpesh ide dhe propozime që vijnë nga qarqe të ndryshme. Vështirë të prognozosh për afate në një çështje kaq delikate siç është dialogu me Serbinë. Ajo që është më se e qartë se nuk mund të pritet rezultat konkret deri sa SHBA nuk merr timon e drejtimit të bisedimeve. Janë vetëm SHBA-të, ata që kanë në dorë edhe “fuqinë e butë” edhe shkopin, për të çuar palët drejtë marrëveshjes përfundimtare. Në situatën kur në opinion publik në Serbi, personaliteti më i preferuar është Vlladimir Putin, kur rejtigu i BE-së ka rënë, nuk mund të presësh që BE do të mund ta detyrojë Serbinë për të shkuar drejt marrëveshjes finale.
Gazeta Insajderi: Mendoni se ndonjëherë mund të ndodhë bashkimi i Luginës me Kosovës?
Shaip Kamberi: Aktualisht nuk duket se është opsion në tryezë. Vetë Kosova nuk e sheh si zgjidhje këtë opsion.
Gazeta Insajderi: Është folur shumë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë në këmbim të një marrëveshjeje përfundimtare. Si i keni parë këto deklaratë ju, dhe a mendoni se do të ishte zgjedhje e duhur shkëmbimi?
Shaip Kamberi: Si përfaqësues politik i Luginë së Preshevës duhet të potencoj se lidhur me këtë temë Lugina e Preshevës mendimin dhe idenë e vet e ka dhënë me Referendumin e 1992. Por, në asnjë rast nuk jemi pajtuar me zgjidhje parciale për Luginën. Megjithatë realitetet politike flasin ndryshe nga dëshirat e tona. Prandaj edhe kërkesa jonë është reciprociteti në të drejta me serbët e Kosovës. Ndërtimi i standardeve të dyfishta të trajtimit të pakicave në Ballkanin Perëndimor, do të ishte rrugë drejt tensioneve dhe konflikteve ndërshtetërore në të ardhmen.
Gazeta Insadjeri: Sa janë të pranishme institucionet kosovare në Luginën e Preshevës?
Shaip Kamberi: Kemi premtimin për krijimin e Zyrës së qeverisë për Luginën dhe fondin prej 2 milion euro për nevojat e qytetarëve tanë, sikurse edhe emërimin e këshilltares së kryeministrit për Luginën e Preshevës. Të shpresojmë se ideja e zyrës të bëhet realitet dhe se shembullin e Prishtinës ta ndjekë edhe Tirana. Është e domosdoshme që dy shtetet duhet bashkërisht të ndërtojnë një platformë konkrete për Luginën e Preshevës. Iniciativat e rastit mund të shërbejnë për fillim, por është e domosdoshme që edhe Kosova edhe Shqipëria të ndërtojnë politika shtetërore për Luginën e Preshevës.
Gazeta Insajderi: Si po arrini që i vetëm t’i dërgoni përpara kërkesat e shqiptarëve të Luginës, në një parlament serb?
Shaip Kamberi: Jam munduar gjatë legjislacionit të kaluar e do të vazhdoj edhe në këtë mandat që duke qenë sa më aktiv në punën time në parlament të shtroj gjitha temat jetike për qytetarët që përfaqësoj. E thash që në një Serbi putiniste nuk do të jetë e lehtë, por, kjo nuk është arsye për tu dorëzuar.
Gazeta Insajderi: Si qëndrojnë raportet e juaja me kryeministri e Serbisë, Aleksander Vuciq?
Shaip Kamberi: Prezenca qëndron në raportin e shtetit serb ndaj shqiptarëve, e ky raport i tyre ndaj nesh duket në secilën deklaratë të secilit ministër, kryeministres dhe vetë presientit Vuciq. Pra janë raporte antagoniste. Raporte të mohimit institucional të të drejtave të shqiptarëve nga shteti serb i personifikuar në Aleksandar Vuciq.
Gazeta Insajderi: Sa ke mbështetje nga shqiptarët në Luginë për punën që bën?
Shaip Kamberi: Unë jam zgjedhur deputet nga lista e përbashkët e tre partive politike, prandaj edhe shpresoj në mbështetjen e tyre gjatë punës time. Mjerisht, ka edhe forca politike kundërshtuese. Forca të atilla politike që mendojnë se duhet të jemi “pragmatik”, e që duhet kuptuar të nënshtruar ndaj Serbisë. Ka të atillë që thonë se nuk ke nevojë që Serbinë ta akuzosh për krimet e luftës, mohimin e tyre, për varrezat masive dhe tema që në të vërtetë dëshmojnë për nivelin e demokracisë në Serbi.
Megjithatë unë jam zgjedhur me një program transparent, dhe në punën time nuk do të ndikojnë “pragmatistët”, që në në të vërtetë dëshirojnë që shqiptarët të jenë të heshtur. Këtë e do edhe Serbia.
Gazeta Insajderi: Jashtë politikës, si është një ditë e juaj z, Kamberi, me çfarë merreni?
Shaip Kamberi: Unë jam edhe kryetar i një partie politike, Partisë për veprim demokratik dhe kur nuk jam në parlament jam në parti prandaj vështirë të definoj kohën apo ditën jashtë politikës. Jam dashamirë i librit, lexoj, kam shumë miq dhe bashkëpunëtorë. Jam pasionant i futbollit dhe tifoz i Real Madridit, ditën e dielën e kam për familjen.
Gazeta Insajderi: Sa shpesh e vizitoni Kosovë dhe cilin qytete e preferoni më shumë?
Shaip Kamberi: Shumë vizita të mia në Kosovë janë zyrtare, prandaj edhe Prishtina më mbetet destinacioni më i vizituar. Pëlqej Prizrenin, Pejën, Gjilanin e kemi fqinj dhe kemi kontakte të shpeshta. Secili qytet i Kosovës ka bukurinë e vet, Secilin prej tyre e kam vizituar. Në shumë prej tyre kam qenë shumë herë.