×
  • Lajme
  • Analiza

    Nga ‘s’ka kuptim mësuesit të paguhen pak’, deri te mospërfillja e tyre – ky është A. K. i Vetëvendosjes në opozitë dhe Lëvizjes në pushtet

    Insajderi
    13 September 2022 - 11:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Varfëria jonë po shndërrohet në greva. Sepse as mësuesit, as mjekët e askush nuk mund të durojë që qeveria të ia rrisë rrogat vetes që nuk punon, por nuk ia rrit atyre që vërtetë punojnë”, disa fjalë të dala më 2019, nga Albin Kurti i Vetëvendosjes në opozitë, i cili tashmë ka bërë Lëvizje të këtyre qëndrimeve në pushtet.

    Gazeta Insajderi

    Ka përfunduar pa asnjë përafrim takimi ndërmjet Bashkimit të Sindikatave të Kosovës me Qeverinë, që nisi sot në orët e hershme të mëngjesit.  

    Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj menjëherë pas takimin me kryeministrin Albin Kurti ka njoftuar se s’ka asnjë ndryshim nga pozicionet e grevistëve dhe qeverisë.

    “Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur mes këshillit grevist dhe kryeministrit Kurti e ministrave Murati e Nagavci. Takimi ishte i gjatë, ne si këshill grevist ia rikujtuam kërkesat tona legjitime që i di opinioni, ata na treguan për angazhimet që kanë bërë. Takimi ishte përmbajtjesor, por asgjë nuk kemi ndryshe. Qeveria qëndron në pakon e prezantuar”, tha Jasharaj, transmeton Gazeta Insajderi.

    Për këtë çështje, rreth orës 11 – Kurti ka folur bashkë me vartësit e tij.

    Por, çfarë tha Kurti mbi këtë çështje më 2019?

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dikur kur ishte në opozitë – i mbronte me Vetëvendosje mjekët dhe mësuesit kur ata grevonin për rritje të rrogave.

    “Nuk ka kuptim që injoranti e hajni që ka hipur atje lart të paguhet me dhjetëra mijëra euro në vit, të marrë mëditje, të shëtitet me makina zyrtare e shoferë, ndërsa mësuesi e mjeku e punëtori i administratës të paguhet më pak sesa që pushtetari i shpenzon për telefon mobil a për dreka e darka”, pati thënë lideri i Vetëvendosjes në vitin 2019, teksa fliste para njerëzve të tij në mbledhjen e XXXVI, të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes.

    “Varfëria jonë po shndërrohet në greva. Sepse as mësuesit, as mjekët e askush nuk mund të durojë që qeveria të ia rrisë rrogat vetes që nuk punon, por nuk ia rrit atyre që vërtetë punojnë. Sigurisht, ne nuk duam që mësuesit e mjekët të ndërpresin punën, sepse nxënësit kanë nevojë për mësim dhe të sëmurët për shërim. Por ne e kuptojmë thellësisht gjendjen e vështirë të atyre që punojnë në administratë publike e sidomos të mjekëve e të mësuesve”, vazhdonte fjalimin Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Madje, Kurti si opozitar, pati bërë edhe një premtim për këto kategori.

    “Kur qeverinë ta udhëheqë Lëvizja VETËVENDOSJE! ne do të kujdesemi që pabarazia mes tyre dhe qeveritarëve të zvogëlohet shumë, dhe që statusi social i mësuesve e i mjekëve të jetë shumë më i mirë se sa sot”.

    Sot, kur ai është në pushtet, ka bërë një Lëvizje mbi qëndrimet e tij të dikurshme.

    Para se të ulej sot për herë të parë me sindikatat, për t’i dëgjuar kërkesat e tyre, ai jo që nuk dialogoi me ta, por përmes instancave të tjera që dirigjohen nga ai – i kërcënoi sindikalistët.

    Pas fillimit të grevës së përgjithshme në sektorin publik, që nisi më 25 gusht, dhe se nuk i shihet fundi, Ministria e Financave kishte kërkuar nga BSPK-ja listën e personave që po merrnin pjesën në grevë për t’ua ndalur pagat.

    Në një emali të drejtuar Ali Sefajt, anëtarit të këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, ministria pati kërkuar sipas nenit 18 që të kenë një listë të personave që janë në greve për t’i pezulluar nga puna dhe tu ndalen benefitet.

    Kështu kishte konfirmuar për Gazetën Insajderi zv.sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu.

    “Po është kërkesë ligjore është neni 18 i Ligjit për Greva, paragrafi 1, i cila kërkon që persona që janë në grevë tu pezullohen paga dhe përgjegjësia nga puna. Neni 18 i Ligjit për Greva kërkon pezullimin e kontratës së punë dhe të mos këtë përgjegjësi me punu po ashtu edhe të mos paguhet, vetëm për këtë arsyeje e kemi dërguar emalin”, pati thënë Spahiu per Insajderin.

    Tutje, zv.sekretari tregonte se ministria nuk ka qenë e njoftuar për grevë më herët dhe se sot ishin njoftuar.

    “Sot e kemi marrë njoftimin për grevë nuk kemi pas më herët njoftim. I kemi shkruar sindikatave dhe i kemi garantuar që nuk e pengojmë grevën vetëm proceduralisht na duhet me ditë kush është në grevë, prej kujt mundemi të kërkojmë punë dhe prej kujt jo. Ne kemi pranuar sot email prej Ali Sefaj dhe ati i kemi kthyer emailin duke i treguar se administrativisht duhet zhvilluar disa procedura pa e penguar procesin e grevës”, pati thënë Spahiu për Gazetën Insajderi.

    Më pas, anëtari i këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj i ishte përgjigjur kërkese së zv.sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave i cili i kërkoi listën e grevisteve për t’ua ndaluar pagën.

    Në një email të siguruara nga Gazeta Insajderi, Sefaj i ka rikujtuar Enis Spahiut, nenit 13 të Ligjit për Greva ku thuhet se ndaj asnjë pjesëmarrësve apo mbështetësi të grevës nuk mund të merren masa disiplinore dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës.

    Tutje, ai ia ka theksuar se ‘presioni dhe pengimi i grevës dënohet sipas legjislacionit në fuqi’.

    Por, sekretari i MF-së inistonte për listën e grevistëve, ai thoshte se “nuk mund të bëjmë pagesa të ndaluara me ligj”.

    “Neve nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim disiplinor dhe jemi të vetëdijshëm për nenin 13, paragrafi 1, ku shumë saktë keni cituar edhe ju. Por, neve e kemi obligim ligjor që të identifikojmë cilët zyrtarëve duhet t’i pezullojmë kontratat, për të mos kërkuar punë prej tyre dhe për t’i mos i paguar gjersa janë në grevë. Kërkesa ime ka qenë në këtë drejtim, dhe ju kam lutur që të mos kemi keqkuptim për këtë. Por po shihet se çështja ka marrë kahje tjetër”, thuhej në emailin e Spahiut drejtuar Sefajt, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tutje, zv.sekretari ishte shprehur se ministria nuk po e cenon grevën vetëm po zbatohet Ligji për Grevën.

    Sipas Spahiut, ZKA-ja ka përgjegjësi për ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike dhe nuk mund të bëjnë pagesa të ndaluara me ligj.

    “Edhe një herë po e them, nuk e cenojmë të drejtën e grevës, assesi. Por kujdesemi që të zbatohet Ligji për Greva, ashtu siç e kemi edhe me mandat ligjor, pasi që si ZKA kemi përgjegjësi për ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike dhe nuk mund të bëjmë pagesa të ndaluara me ligj”.

    Përmes këtij emaili të siguruar nga Gazeta Insajderi, Spahiu i pati thënë Sefajt se edhe vet është shërbyes civil dhe nuk ka të bëjë me politikat ditore.

    “Në fund, ju rikujtoj që unë jam shërbyes civil dhe nuk jam pjesë e politikave ditore. Këtë veprim e kam ndërmarrë duke qenë plotësisht i bindur që kam përgjegjësi ligjore për këtë, e me asnjë motiv tjetër. Ky nuk është pengim i grevës, por vetëm zbatim i ligjit”, thuhet më tej në emailin e Spahiut.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark