Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë lidhur koalicione në dy komuna për garën në balotazh për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 14 nëntor, shkruan Insajderi.
Në Kamenicë dhe Viti tashmë këto dy subjekte politike kanë arritur marrëveshje zyrtare.
Marrëveshjen për koalicion në Viti e kanë bërë të ditur nga AAK, dega në Viti të cilët kanë thënë se në raundin e dytë të zgjedhjeve do ta përkrahin kandidatin e LVV-së, Arsim Ademi
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dega në Kamenicë ka bëtë të ditur që më 14 nëntor në balotazh ta mbështesë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Degës së AAK- së në këtë komunë, Faton Jakupi.
“Sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues së AAK dega në Dardanë,duke u bazuar në Statutin e saj dhe me shumicë votash, u mor VENDIM, që në garën e balotazhit në zgjedhjet për kryetar të komunës ta përkrahë kandidatin e VV.”, ka shkruar Jakupi.
Duket se liderët e këtyre dy partive kanë lënë anash përplasjet mes tyre që kanë pasur në Kuvendin e Kosovës.
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj shpesh ka kritikuar Albin Kurtin për blerjen e shtëpisë në vlerë 400 mijë euro në Norvegji duke thënë se është turp më ble shtëpi në Norvegji e në Kosovë jo./Gazeta Insadjeri/