Liberalizimi i vizave është një nga proceset më të rëndësishme të vendit në vitet e fundit.
Lëvizja e lirë e qytetarëve në vendet e zonës Shengen ka qenë një preokupim dhe izolim tash e sa kohë.
Mijëra qytetarë shfrytëzuan të drejtën e tyre të lëvizjes drejt Evropës, nëpërmjet rrugëve tokësore e ajrore.
Por, si e gjeti ky proces Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”?
Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, për IndeksOnline ka deklaruar se ishin përgatitur paraprakisht për këtë proces, ku përmes kampanjave të ndryshme vetëdijesuese janë munduar të informojnë qytetarët për të drejtat e tyre të lëvizjes në Shengen.
“Duke pasur parasysh që edhe ne kemi qenë të informuar për liberalizimin e vizave apo për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ne paraprakisht kemi marrë të gjitha masat e duhura. Kemi bashkëpunuar me qeverinë e Kosovës për të mbështetur kampanjat vetëdijesuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kemi pasur një rritje në numër të udhëtarëve, por kemi pasur edhe sfida me të cilat jemi ballafaquar. Këto sfida kryesisht kanë qenë me njoftimin e qytetarëve për dokumentet e nevojshme të cilat është që ata t’i kenë në momentet kur kanë udhëtuar. Më pas, kemi pasur sfida të tilla si mosrespektimi i ditëve të qëndrimit jashtë shtetit, mos-pajisja me dokumente të nevojshme që janë kërkuar nga shtetet në të cilat udhëtarët kanë udhëtuar”, u shpreh ajo.
Gara vlerësoi se duke pasur parasysh që në statistikat e Aeroportit, shumic e udhëtarëve shkojnë drejt Zvicrrës dhe Gjermanisë, nuk ka pasur ndryshime sa i përket destinacionit.
“Megjithatë, ka pasur edhe destinacione të cilat janë shtuar për herë të parë, dhe fluturimet kanë qenë të mbushura. Në bazë të kërkesave dhe interesimit të kompanive ajrore, në jemi duke bërë të pamundurën të kemi sa më shumë destinacione në listën e fluturimeve që janë nga aeroporti ynë”, u shpreh Gara.
Përveç zonës Shengen, vizat për shtetasit e Kosovës u hoqën edhe nga shumë shtete të tjera të botës.