Mediat në Greqi kanë publikuar pamje nga banesa ku u gjet e pajetë e moshuara që mbahej e fshehur nga nipi i saj 55-vjeçar.
Bëhet fjalë për ngjarjen që tronditi Janinën mëngjesin e sotëm pasi policia gjeti trupin e pajetë të një 69-vjeçareje duke u dekompozuar në bodrumin e banesës. I nipi e kishte mbështjellë trupin dhe e kishte futur në një valixhe, të cilën e kishte vulosur me ngjitës në mënyrë që të shmangte qarkullimin e aromës së rëndë.
Dyshimet u ngritën nga fqinjët që raportuan se prej disa muajsh e moshuara nuk ishte parë në zonë.
Viktima sipas policisë ka vdekur për shkaqe patologjike 2-3 muaj më parë ndërsa nipi 55-vjeçare u arrestua, pasi akuzohet se nuk e ka raportuar vdekjen e saj në mënyrë që t’i merrte pensionin.
Siç raportojnë mediat në Greqi, nipi i të moshuarës nuk është një personazh i panjohur për autoritetet. Ai njihet për një grabitje dhe tentative vrasjeje të kryer në mesin e viteve 1980. Ai ka bërë tre vite burg dhe është arratisur në vitin 1992. Në vitin 2006 ai u arrestua dhe u dërgua në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Ndaj tij ka pasur edhe akuza për përdhunim.