
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi për certifikimin grupit të tretë me 39 subjekte politike, prej të cilave 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
Ndërkaq, dy subjekte politike që ishin paraparë të merrnin miratimin për certifikim sot, nuk kaluan. “Lidhja për Prishtinën” dhe “Lëvizja për bashkimin e shqipëtarëve” nuk u certifikuan.
Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti tha se emërtimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës”, është në kundërshtim me parimet e certifikimit të subjekteve politike, pasi tha ai ky emërtim është shumë i ngjashëm me brendin dhe identitetin historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Po ashtu, Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, ka tërhequr nga lista iniciativën qytetare “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të gabimit drejtshkrimor në fjalën “Shqipëtarëve”.