×
  • Lajme
  • Lajme

    Ngrihet aktakuzë për turkun dhe kosovarin që therën për vdekje dhe lanë në rrugë të riun në Prizren

    Insajderi
    18 November 2024 - 12:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Prizren sot ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve të cilët dyshohet se e kanë therur për vdekje dhe e kanë lënë në rrugë një 26-vjeçar në korrik të këtij viti në Prizren.

    “Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.A., (shtetas turk), dhe H.B., (shtetas kosovar), të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale ‘Lëndimi i rëndë trupor’ nga neni 186, par.5 lidhur me par.3, pika 3.2 lidhur me par.2, pika 2.1, ’Mosdhënia e ndihmës’ nga neni 188, par.4 lidhur me par.1 si dhe veprën penale ‘Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’ nga neni 378, par.1, pika 1.3 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri E.A., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:50 min, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni në lagjen ‘Kurillë’, me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin tjetër H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës, duke i shkaktuar plagë therëse, të konstatuara si në Raportin e Autopsisë – të datës 31.10.2024, dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e pësuara, pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku si pasojë e shokut hemorragjik edhe ndërron jetë”.

    “Me këto veprime, i pandehuri E.A., ka kryer veprën penale ‘Lëndimi i rëndë trupor’” sipas KPRK-së.

    “Ndërsa, i pandehuri H.B., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:55 min, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit, jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij, duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me mjet të rrezikshëm nga i pandehuri E.A., nuk e dërgon të njejtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, e lejon të dalë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes “Bazhdërhane” në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes “Ortakoll”, ku si pasojë e plagëve të pësuara, përkatësisht si pasojë e shokut hemorragjik viktima edhe ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë”.

    “Po ashtu, i njëjti duke qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor, nuk e njofton organin kompetent për një fakt të tillë, në atë mënyrë që pasi ka qenë në dijeni si dëshmitar okular në kryerjen e veprës penale nga E.A., megjithatë refuzon që ta njoftojë policinë apo organin tjetër kompetent lidhur kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit të saj. Në këtë mënyrë, i pandehuri H.B., ka kryer veprat penale ‘Mosdhënia e ndihmës’ dhe ‘Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’ sipas KPRK-së”.

    Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor, t’i shpallë të akuzuarit fajtorë, dhe që ata të dënohen sipas ligjit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark