Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit të Nismës Socialdemokrate njëherit ish-zëvendësministrit, Zafir Berisha për shkak të veprës penale sulm ndaj personit zyrtar, shkruan Insajderi.
Berisha në muajin qershor të këtij viti, e kishte ofenduar e sulmuar fizikisht zyrtarin policor pasi i kishte vendosur tiketë për kundërvajtje në veturën e tij.
Sipas aktakuzës, me datë 08.06.2022, rreth orës 14:40, në rrugën “Suzi Qelebi”, në Prizren, i pandehuri Zafir Berisha., me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrën zyrtare – zyrtarin policor, përkatësisht të dëmtuarin Q.D., për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari së bashku me dy zyrtar tjerë policor Sh.D., dhe Xh.H., ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar në rrugën e lartpërmendur, kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, ndër to edhe vetura e markës “Volvo“, pronë e të pandehurit, ku i dëmtuari në xhamin e veturës i ka vendosur “njoftim për paraqitje obligative në stacion policor dhe vendimin për kundërvajtje”.
Sipas prokurorisë i pandehuri Zafir Berisha, me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet dhe të njëjtit i drejtohet me fjalë të rënda ofenduese, dhe më pas i pandehuri me veprimet e tij i kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar – të dëmtuarin Q.D.
“I pandehuri më pas, njoftimin për kundërvajtje e gris dhe copëzat e saj ia hedh në fytyrë të dëmtuarit dhe i vërsulet të njëjtit për t’a sulmuar, i dëmtuari duke e vërejtur rrezikun se do të sulmohej nga i pandehuri, e përdorë pajisjen zyrtare “Sprej OC“, duke hedhur të njëjtin në drejtim të të pandehurit, më pas i pandehuri largohet nga i dëmtuari”, thuhet në njoftimin e prokurorisë shkruan Insajderi.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Ndërkohë, Berisha e kishte mohuar se ka sulmuar zyrtarët policorë. Derisa ka dhënë variantin e tij se si ka ndodhur rasti.
“Nuk është e vërtetë se kam pengu ndonjë person zyrtar, por për disa ditë rresht dikush nga policia para Shoqatës së Veteranëve më vendosë tiketë dënimi për parking edhe pse dhjetëra makina tjera nëpër trotuar më keq se e imja e parkuar dhe nuk kishin tiketa dënimi! Tipin në fjalë nuk e njoh, por veprimet e tij më bëjnë të dyshoj se kanë qenë provokuese dhe me qëllim, për të cilin pres përmes organeve të drejtësisë të sqarojë, sepse si kam pas borxhe me ardh me më qit gaz pa kurrfarë arsye, gaz lotsjellës”, deklaronte ai përcjell Insajderi.
Me 18 tetor të po këtij viti, Zafir Berisha u dënua nga Gjykata Themelore në Prizren me 600 euro gjobë për shkak se e ka kanosur përmes telefonit kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj.
/GazetaInsajderi