Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave si të dyshuar për veprat penale “Fajde”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Detyrimi”.
Të pandehurit me datë 22.12. 2021 janë arrestuar në flagrancë gjatë marrjes së kamatave nga i dëmtuari.
“Sipas aktakuzës, të lartpërmendurit me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete apo persona tjerë, kontraktojnë shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare – personale të të dëmtuarit, E.A, ku njëri nga të pandehurit përdor edhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit, për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij. I dëmtuari E.A., detyrohet nga të pandehurit e lartcekur të paguaj borxh në emër të kamatës shumën rreth 20.000 Euro”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit ka propozuar edhe konfiskimin e sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës dhe janë dobi pasurore nga veprat penale, si: vetura, para të gatshme, kartela të bankës, telefona, USB, kompjuterë, llaptop, akte noteriale, kontrata, CD, DVD, thika, boks të metalit etj.