Sekretari i shkollës së mesme teknike në Podujevë, ka ngritur padi ndaj drejtorit të Arsimit, Avni Fetahut, pasi është marrë vendim që ai të transferohet në një shkollë të një fshati të kësaj komune. Në padinë e ngritur sekretari Besim Latifi ka deklaruar se transferimi i tij është bërë si veprim hakmarrës për shkak të sinjalizimit të veprave penale të drejtorit. Nga ana tjetër, drejtori i arsimit e mohon. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Komuna e Podujevës ka marr vendim që ta transferojë Sekretarin e shkollës në IAAP “Fan S. Noli”, Besim Latifin, përkohësisht në vendin e punës sekretar shkolle në SHFMU “Hamit Sejdiu” në fshatin Kërpimeh të kësaj komune. Latifi njëkohësisht është edhe sekretar i degës së LDK’së në Podujevë.
Në dokument, arsyetim lidhur me këtë vendim është se në shkollën fillore SHFMU “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh mungon sekretari për shkak të shkuarjes në pension dhe shkolla në fjalë ka edhe një paralele të ndarë në Pakashticë, po ashtu drejtori është në prag të pensionit është e nevojshme angazhimi i një sekretari për mbarvajtjen e punëve në këtë shkollë.
“I punësuari Besim Latifi i sistemuar në vendin e punës sekretar shkolle në IAAP “Fan S. Noli” në Podujevë, transferohet përkohësisht për tre muaj nga data 07.10.2024 deri më 07.01.2025 në vendin e punës sekretar shkolle në SHFMU “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh për dy ditë pune enjte dhe premte me arsyetimin se në shkollën fillore SHFMU “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh mungon sekretari për shkak te shkuarjes në pension dhe shkolla në fjalë ka edhe një paralele të ndarë në Pakashticë, po ashtu drejtori është në prag të pensionit është e nevojshme angazhimi i një sekretari për mbarvajtjen e punëve në këtë shkollë”, thuhet në vendim.
Pas kësaj, Besim Latifi, me datën 7 tetor ka thënë se ka ngritur padi ndaj drejtorit të arsimit, Avni Fetahut në Podujevë.
Siç ka deklaruar për Insajderin Latifi, padinë e ka dorëzuar për shkak që është transferuar në një shkollë tjetër, ku ai pretendon se kjo ka ndodhur si shenjë hakmarrje nga drejtori Fetahu.
Siç pretendon tutje Latifi, hakmarrja e drejtori të Arsimit ndaj tij ndërlidhet me kallëzimin penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Kërkesë për anulimin e vendimit nr:05/326 i datës 07.10.2024 për transferimin e paditësit nga pozita e tij si sekretar në IAAP “Fan S. Noli” në një shkollë tjetër, pa pëlqimin e tij, si një veprim hakmarrës për shkak të sinjalizimit të veprave penale. Unë, Besim Latifi, i punësuar si sekretar në IAAP “Fan S. Noli” në Podujevë, më datën 07.10.2024, kam pranuar një vendim nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës, që përmban urdhrin për transferimin tim të përkohshëm në SHFMU “Hamdi Sejdiu” në Kërpimeh për një periudhë të pacaktuar deri më 07.01.2025 dhe atë për ditët te enjte dhe e premte Ky transferim është kryer pa pëlqimin tim dhe përbën një veprim të dëmshëm, që mendoj se është i lidhur me sinjalizimin që kam bërë për parregullsi në punën e institucionit”, thuhet në padi.
Tutje Besim Latifi në padinë e tij ka thënë se ka qenë sinjalizues në kallëzimin e bërë ndaj Avni Fetahut.
“Sa për njoftimin unë kam qene sinjalizues ne kallximin e bere pikërisht ndaj Drejtorit te Arsimit ne Komunën e Podujevës, Avni Fehatut, kallzim ky i cili është trajtuar nga Prokuroria e Krimeve te Renda me nr. PP.I.nr.32/2022. S i rezultat i këtij sinjalizimi nga ana ime ne mundësinë e pare i njëjti ne shenje hakmarrje ka nxjerre Vendimin e lartpërmendur. Po ashtu, paragrafi 2 i këtij nenin thotë se: Çdo veprim i dëmshëm nja sinjalizuesit është i pavlefshëm“.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, i cili mohoi këtë.
“Padia ndaj meje është inicuar nga Fatos Potera në vitin 2022 (kallëzimi penal është hedhur dy herë radhazi) dhe nuk ka të bëjë me hakmarrje, arsyetimet për transferim të përkohshëm janë dhënë sekretarit në fjalë”, tha Fetahu.
Lidhur me deklarimin e Fetahut, sekretari Latifi tha se Fatos Potera nuk ka të bëjë asgjë me rastin.
“Fatos Potera nuk ka të bëjë asgjë me rastin, ai vetëm e ka dorëzuar lëndën në Prokurori, por unë jam autori dhe mbrojtësi i lëndës”, tha Latifi për Insajderin.
Besim Latifi, poashtu tha se ka ngritur edhe një kallëzim të ri penal ndaj drejtorit të Arsimit në Podujevë, Avni Fetahut, i cili pretendon se ka kryer veprën penale hakmarrje, pasi ka raportuar punësimet e jashtëligjshme në këtë komunë.
“Avni Fetahu, në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Podujevë, me dashje dhe dijeni, ka kryer veprën penale të hakmarrjes në kundërshtim me Nenin 388 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Si Sinjalizues, unë kam raportuar shkeljet e tij për punësimet e jashtëligjshme të stafit arsimor pa konkurs dhe dhënien e kontratave të rregullta pune pa procedura të ligjshme, për çka kam paraqitur kallëzim penal me numër PP.I.nr. 32K/2022 në Prokurorinë Themelore në Prishtinë“.
“Kjo procedurë ka rezultuar që Avni Fetahu, i cili, e ka shfrytëzuar direkt pozitën e tij zyrtare si drejtor i arsimit që të hakmarret ndaj meje. Si pasojë e këtij kallëzimi penal, më 07.10.2024, ai ka lëshuar një vendim për transferimin tim të përkohshëm në SHFMU “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh për një periudhë tre mujore (nga 07.10.2024 deri më 07.01.2025), pa pëlqimin tim. Ky transferim është një masë e qartë hakmarrjeje dhe bie ndesh me Nenin 22 të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Sipas Nenit 22 të këtij ligji, sinjalizuesi mbrohet nga çdo veprim i dëmshëm, përfshirë transferimin brenda ose jashtë institucionit publik pa pëlqimin e tij. Vendimi i z. Fetahu është një akt i qartë hakmarrjeje, duke shkelur jo vetëm Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, por edhe të drejtat e mia si punonjës”, thuhet në kallëzimin penal të ngritur nga Latifi me 15 tetor të këtij viti.
/Insajderi.org/