Presidenti serb, Tomislav Nikoliq i tha ambasadorit amerikan, Kyle Scott se ndalimi i trenit serb të shtunën nga pala kosovare, është “krejtësisht i papranueshëm”.
Presidenti serb i ka thënë po ashtu ambasadorit Scott se Serbia pret një sjellje të ndryshme nga administrata e re amerikane, me ardhjen e presidentit Donald Trump.
Scott tha se SHBA mbështet integrimin evropian të Serbisë, dhe shprehu gatishmërinë e SHBA-ve për të forcuar marrëdhëniet me Serbinë.
“Serbia është një faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe marrëdhëniet me fqinjët e saj kanë pasur uljet dhe ngritjet e tyre,” vuri në dukje ambasadori Scott, i cili shtoi se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën ka bërë disa hapa përpara, por edhe disa hapa prapa.
Scott dhe Nikoliq u pajtuan se të dyja palët nuk mund ta bindin njëri-tjetrin në lidhje me qëndrimet për Kosovën.
Nikoliq përsëriti se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht nga presioni i fuqive të mëdha. Ai ka thënë se Serbia dhe SHBA-të janë në rrugë të rindërtimit të bashkëpunimit bilateral mes vete dhe tha se ai pret që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Amerikës të marrin një kontekst të ri.
Presidenti serb i tha ambasadorit amerikan se Prishtina nuk u lejon serbëve t’i kalojnë Krishtlindjet në Kosovë.
“Unë gjithmonë flas sinqerisht dhe haptazi, dhe mbroj Kushtetutën e Republikës së Serbisë. Unë e kuptoj se ju keni mbështetjen të pakushtëzuar dhe jeni duke bërë një ndikim të drejtëpërdrejtë. Ata [shqiptarët] kanë krijuar shumë probleme dhe shpresoj se administrata e re do të ndaloj një sjellje të tillë”, tha Nikoliq. /Insajderi.com