Janë tre persona, njëri ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, tjetri ende polic dhe i treti veç pjesë e grupit. Që nga 2017-ta rëndon mbi ta një akuzë e rëndë: I kërkuan një biznesmeni hiç më pak se sa 300 mijë euro ryshfet. Por, për çudi, një gjykim i mirëfilltë ndaj tyre kurrë nuk kishte vazhduar sipas planit. Njëri nga ta është hiç më pak se sa nipi i Ish-Kryeprokurorit. Por, tash një seancë e re është caktuar. Këtë muaj. Insajderi sjell detaje nga akuza që rëndon mbi këta persona.
Behar Millaku, ish-udhëheqësi i hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, njëherit nipi i kryeprokurorit Reshat Millaku akuzohet se kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ndërsa për ushtrim ndikimi akuzohen ish-zyrtari policor Shefqet Zogaj, si dhe Ilir Sadrijaj si pjesë e grupit.
Pas 8 vitesh nga ky rast, seanca e re, siç ka mësuar Insajderi pritet të mbahet me 23 korrik të këtij viti.
Dosja e Prokurorisë – Si i kërkoi Millaku 300 mijë euro ryshfet biznesmenit?
Hetimi kundër policit nipit të kryeprokurorit Reshat Millaku, Behar Millakut dhe grupit të tij kanë zbuluar se si i kishte kërkuar 300 mijë euro nga pronari i kompanisë së lojërave të fatit, “EGTK II” për t’ia mbyllur hetimet.
Dosja e Prokurorisë pretendon se mijëra euro ishin kërkuar për të mbyllur dhe lehtësuar hetimin e Policisë që po bëhej ndaj kompanisë “EGTK II Shpk” të lojërave të fatit “Kajot”, kompani e cila ishte bastisur gjatë një aksioni të Policisë.
Sipas aktakuzës, Millaku, në cilësinë e udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, i cili ishte duke hetuar rastin e kësaj kompanie, të krijojë lehtësira gjatë hetimit, për t’ia hapur lokalet e lojërave të fatit, të cilat ishin mbyllur nga policia dhe për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zogaj, kishte siguruar informata për rrjedhjen e hetimeve ndaj Skender Fetaj, dhe të njëjtat ia kishte dërguar të akuzuarit Sadrijaj, në mënyrë që ta bindin të dëmtuarin Fetaj, për t’i dhënë paratë.
Fillimisht, Sadrijaj ka kërkuar nga ish-punëtori i kësaj kompanie Avni Qerimi, që të kërkojë nga i dëmtuari Fetaj shumën prej 4.000 euro, i cili këto para i kishte thënë menaxherit të kësaj kompanie Denis Cocaj, që t’ia dërgonte të akuzuarit Sadrijaj.
Tutje, sipas aktakuzës, më 10 janar 2017, këto para Qerimi, ia kishte dhënë të pandehurit Sadrijaj, i cili pas disa ditësh ishte takuar me Fetajn dhe i kishte thënë se fillimisht duhet t’i jepte 30.000 euro për udhëheqësin e hetimit Behar Millaku, pastaj edhe shumën prej 300.000 euro, dhe e kishte sugjeruar që ta ndërrojë avokatin në mënyrë që këto para t’i dorëzohen policit Millaku, për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.
Mirëpo, siç thuhet, i dëmtuari Fetaj, më 26 janar 2017, ishte koordinuar me policinë, dhe i kishte fotografuar shumën prej 30.000 euro, dhe kur Denis Cocaj, Bajram Kurmehaj ishin takuar me Sadrijaj, në lokalin “Liridoni” në rrugën Pejë –Deçan, Kurmehaj shumë prej 30.000 euro ia kishte dhënë në zarf Sadrijajt.
Kështu, sipas aktakuzës, pasi Sadrijaj së bashku me Zogajn i kishin marrë paratë, kishin hyrë në lokale dhe bastore të ndryshme dhe gjatë natës kishin bërë ndërrimin e parave, pastaj ishin takuar me Millakun dhe ia kishin dhënë shumën prej 2.000 euro, ndërsa Millaku me veturë të cilën e drejtonte Shaban Ramaj ishin ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe me rastin e kontrollimit, i kishin sekuestruar shumën prej 2.000 euro, ndërsa Sadrijaj nga ana e policisë në Pejë i janë gjetur 2.200 euro.
Prokuroria të akuzuarin Behar Millaku e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarit Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj me veprën penale “ushtrim i ndikimit”./GazetaInsajderi