
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka nisur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.
“Gjatë ditës së sotme, e enjte (13 shkurt) ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat Suharekë, Ferizaj dhe Vushtrri, ndërkaq gjatë pasdites ka filluar numërimi edhe në qendrat tjera në komunat Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik”.
KQZ-ja ka njoftuar se numërimi po bëhet në 26 qendra komunale.
“Deri më tani, më 11 dhe 12 shkurt, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime ka filluar në QKN-të e komunave: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit”, thuhet në njoftim, përcjell Insajderi.