×
  • Lajme
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Nis punën Seminari 35-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

    Insajderi
    15 August 2016 - 15:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të XXXV (35) Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

    Në këtë solemnitet ishin të pranishëm kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ministra, ambasadorë, akademikë dhe seminaristë.

    Në një fjalë rasti, drejtori i Seminarit Rrahman Paçarizi, ftoi rektorin, prorektorët dhe autoritetet akademike që vendosin për valorizimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës të kenë parasysh faktin se Seminari nuk është institucion i izoluar i albanologjisë, por institucion që  krahas promovimit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, synon ta ndërlidhë albanologjinë me shkencën dhe letërsinë botërore.

    “Studimet kontrastive e ndihmojnë albanologjinë. Injorimi i tendencës për përfshirjen e albanologjisë në shkencën dhe letërsinë botërore shpejt mund ta shndërrojë Seminarin në një institucion lokal të dijes që sillet rreth vetvetes”, theksoi Paçarizi.

    Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha se të flasësh për historikun e Seminarit është të sikur të flasësh për jetën e Fakultetit të Filologjisë në veçanti dhe të UP-së në përgjithësi.

    Ndërsa Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se ky organizim shkencor synon të promovojë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe është dëshmi e gjallë që këto institucione kanë potencial për prodhim të dijes dhe shkencës.

    Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa, e cilësoi Seminarin si një prej ngjarjeve e cila e përfaqëson më së miri identitetin dhe kulturën shqiptare.

    Kryeparlamentari, Kadri Veseli, në fjalën e tij falënderoi themeluesit dhe profesorët të cilët i kanë dhënë jetë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark