Raundi i pestë i negociatave paqësore me qëllim të dhënies fund të luftës në Siri ka filluar sot në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
“Të gjitha delegacionet që janë planifikuar të marrin pjesë në këtë fazë të rëndësishme të negociatave kanë arritur në Astanë”, deklaroi sot në mëngjes shefi i diplomacisë kazake, Kairat Abdrakhmanov.
Agjencia kazake e lajmeve “Kazinform” lajmëroi se një delegacion nëntë anëtarësh i grupit të armatosur opozitar arriti në Astana për të marrë pjesë në negociatat indirekte me delegacionin e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad.
Në negociata marrin pjesë edhe delegacionet e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, vende që janë garantues të procesit paqësor, ndërsa në proces marrin pjesë edhe delegacione nga Jordania, SHBA-të dhe Kombet e Bashkuara. Delegacionin e OKB-së e kryeson i dërguari special për Sirinë, Steffan de Mistura.
Abdrakhmanov tha se tema kryesore e negociatave do të jetë përcaktimi i kufirit dhe përmbajtjeve tjera lidhur me vendosjen e zonave jokonfliktuoze në Siri, e që u dakordua në raundin e katërt të majit të delegacioneve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, raporton AA.
Me ndërmjetësim të Turqisë dhe Rusisë në Siri më 30 dhjetor të vitit të kaluar u arrit marrëveshje parimore për armëpushim, ndërsa në janar filluan negociatat në Astana që kanë për qëllim krijimin e mekanizmit të implementimit të armëpushimit.
Turqia është garantues i respektimit të armëpushimit nga ana e opozitës siriane, ndërsa Rusia dhe Irani si aleatë të regjimit sirian janë garantues të armëpushimit nga kjo palë.