Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka filluar seanca ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit, të cilët u arrestuan dje nga Policia e Kosovës si të dyshuar për spiunazh, bashkëpunim me BIA’n serbe.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot se kundër të pandehurve: B.Sh. dhe M.Q. ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit, Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasiqë ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale: Spiunazhi nga neni 124 par. 3 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale: Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen.