Nisin punimet që ish-burgu i Prishtinës të kthehet në muze - Insajderi
×
  • Lajme
  • Kulturë

    Nisin punimet që ish-burgu i Prishtinës të kthehet në muze

    Insajderi
    28 May 2020 - 12:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    ‘Rrënojmë të vjetrën, ndërtojmë të renë’, ishte koha e pas Luftës së Dytë Botërore, kur edhe në Kosovë, janë ndërtuar shumë objekte që tashmë janë në listën e Trashëgimisë Kulturore.

    Në këtë periudhë hyn edhe objekti i ish-Burgut të Prishtinës që themelet e tij janë vënë tash e 80 vite më parë, e i cili me vendimin e 23 majit, që është nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, do të shndërrohet në muze, shkruan Gazeta Insajderi.

    Me këtë vendim, janë të obliguara Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministria e Financave dhe Transfereve, që të zhvillojnë të gjitha procedurat e nevojshme dhe t’i propozojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e këtij Muzeu.

    Tri ditë pas vendimit, institucionet e lartpërmendura kanë nisë punën në teren për gjetjet rreth këtij objekti dhe nisjen e funksionalizimit të ndërtesës si muze.

    Detaje rreth nisjes së punës, për Gazetën Insajderi, ka dhënë zëvendësministri i Kulturës, Yll Rugova.

    Ai ka thënë se më 26 maj, e kanë bërë një vizitë me dy zyrtarë të trashëgimisë kulturore, dhe dy zyrtarë nga MPBAP për të bërë një skanim preliminar të gjendjes së ndërtesës. Sipas vlerësimeve ka filluar puna për pastrimin e ndërtesës si një hap i parë.

    “Kemi filluar punën me hulumtues të ndryshëm për të gjetur projektin origjinal të ndërtesës, por edhe historiatin që lidhet me të. Nga Arkivi i Prishtinës kemi gjetur materiale që tregojnë se kjo ndërtesë është ndërtuar në fund të viteve 40’. Po ashtu, në konsultim me Fakultetin e Historisë jemi duke nisur hulumtimet për anën historike që lidhet me burgosjet që janë bërë aty. Të dhënat po tregojnë se hapja e këtij burgu koincidon edhe me persekutimet famëkeqe të Aleksandar Rankoviqit. Sidoqoftë, kërkimet në këtë drejtim janë ende në fazën fillestare”, ka thënë fillimisht Rugova, i cili tutje ka treguar se tashmë kanë iniciuar takim edhe me Shoqatën e të Burgosurve Politik për bashkëpunim dhe materiale shtesë kërkimore.

    Tematika e saktë e këtij muzeu do të përcaktohet edhe nga grupet punuese, mirëpo sipas zëvendësministrit Rugova, ky nuk është ‘Muze i Luftës’ siç është pretenduar.

    Sipas tij, në këtë fazë është e rëndësishme që një burg në qendër të qytetit po kthehet në muze, duke u transformuar rrënjësisht në funksion.

    “Me shumë gjasë muzeu do të tregojë në formë më narrative përndjekjet në Kosovë, që përfshinë burgosjet dhe persekutimet që janë bërë. Por, po e përsëris, për këtë do të përcaktohet në muajt në vijim kur edhe grupet punues i japin një tematikë më konkrete”, ka theksuar ai.

    Ndërsa, për të gjithë ata që duan të hyjnë brenda tij e ta shohin se si është gjendja reale, këtë mund ta bëjnë pas tri javësh, mirëpo procesi i transformimit në muze të plotë e funksional do të kërkojë deri në dy vjet kohë.

    Procesi i nisjes së muzeut të ri po cilësohet si proces i ndërlikuar, pasi që, duhet të bëhet mbledhje e shumë materialeve historike, nga burime të ndryshme, përfshi dëshmitë e vetë të burgosurve, pastaj eksponatet fizike që lidhen me narrativen bazë, historiku i ndërtesës, kurimi i ekspozitës, dizajnimi, arkitektura dhe çështje tjera muzeale.

    Krahas gjithë kësaj punë, do të ketë kujdes të shtuar sa i përket intervenimit brenda dhe jashtë ndërtesës, pasi që, ky objekt është në listën e përkohshme të Trashëgimisë Kulturore.

    Zëvendësministri në detyrë, Yll Rugova, ka thënë se më këtë objekt do të ketë ndërhyrje minimale.

    “Nga vizita e fundit me zyrtarët e trashëgimisë, pamja e saj e brendshme dhe e jashtme duhet të ruhen sa më shumë. Me disa ndërhyrje krejt minimale në çështjet e lëvizshmërisë, ndriçimit dhe riorganizimit të disa hapësirave. Pra, intervenimet do të jenë minimale”, pohoi ai.

    Ndonëse është në fazën e parë të nisjes së tij, ende nuk është bërë vlerësimi i plotë financiar për gjithë projektin. Ekspozita sipas diskutimeve të para do të bëhet me konkurs projektimi të bazuar në hulumtimet dhe eksponatet e përzgjedhura, ndërsa do të mund të shihet nga publiku, tek pas dy vjetësh./Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark