×
  • Lajme
  • Lajme

    Nisin sulmet e VV’së kundër Osmanit, fillimisht aktivizohet Adnan Rrustemi

    Insajderi
    01 August 2024 - 12:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Refuzimi që iu bë nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca nga presidentja Vjosa Osmani ka lënë hatërmbetje në këtë parti.

    Presidentja kishte ftuar liderët e partive në një takim konsultativ për datën e zgjedhjeve. Takimi u caktua më 31 korrik. Kryetari i VV’së, Albin Kurti mungoi. Ai e kishte propozuar nënkryetarin Glauk Konjufca që ta përfaqësonte, por Osmani refuzoi. Për Kurtin u tha se ishte i zënë me takime tjera.

    Në konferencë për media, presidentja deklaroi se ishte Kurti ai që e kishte marrë ftesën i pari dhe që ishte pajtuar të takoheshin me këtë datë.

    “Në qoftë se flasim për mos përfillje mendoj se është e kundërta… përkundrazi ne i kemi ftuar të gjitha partitë politike. Ftesa e parë i ka shkuar kryeministrit njëkohësisht kryetarit të LVV pasi ma ka konfirmuar se kjo datë është në rregull për të, dhe pastaj ftesat kanë shkuar sipas madhësisë së partive politike. Pra, të gjithë e kanë ditur që takimi mbahet me 31 korrik“, u shpreh ajo para mediave përcjell Insajderi.

    Për mos pranimin e Konjufcës, presidentja theksoi se nuk deshi t’i thyej parimet.

    “Është dashtë që të  aplikohet parimi i njëjtë për të gjitha partitë sepse në sytë e institucionit të presidencës të gjitha partitë duhet të trajtohen njësoj”, deklaroi Osmani.

    Ndërkohë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu e cilësoi si jo të përshtatshme datën 31 korrik, teksa shtoi se Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm.

    Me deklaratën e Osmanit nuk po pajtohet as deputeti i VV’së, Adnan Rrustemi.

    Ai ka kërkuar nga presidentja të tregojë se mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore refuzon zëvendësimin e kryetarit të subjektit politik.

    “Kryeministri Kurti nuk mund të jetë në dy vende njëkohësisht, andaj ai është dashur të peshojë: ta anulojë pjesëmarrjen e konfirmuar qysh para tri javësh në drekë me 21 ambasadorë, apo të shkojë aty dhe në vend të tij me partitë politike te Presidentja Osmani të shkojë nënkryetari i parë dhe kryeparlamentari Konjufca. Me të drejtë e ka përzgjedhur të dytën”.

    “Pyetja që duhet shtruar është: mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore Presidentja refuzon zëvendësimin e kryetarit të subjektit politik (që është edhe Kryeministër) me nënkryetarin e parë (që është edhe Kryeparlamentar)?”, shkroi Rrustemi.

    Se është thelluar krisja presidencë-qeveri e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla. Një ditë më parë u publikua një thumb i saj përmes një kënge ndaj Vjosa Osmanit. “Llafe-llafe kënga e presdintes”, tha Gërvalla.

    E Osmani nuk harroi t’ia kthente në të njëjtën monedhë. “Me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast përsëritës i gabimeve..” /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark