Nisma për Kosovën konsideron se kërkesa e presidentit Hashim Thaçi për zbardhjen e të gjitha krimeve që janë kryer në Kosovë gjatë dhe pas luftës, është vetëm një parullë false përmes së cilës ai nuk ka për qëllim vënien e drejtësisë në vend.
Sipas saj, ky veprim i tij përbën një tentim për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga aferat e shumta ku ai del të jetë i përfshirë, sidomos nga kjo e djeshmja me ish-guvernatorin Hashim Rexhepi.
“Kërkojmë nga Prokuroria dhe Gjyqësia që ta hetojë me prioritet deklarimin e Hashim Rexhepit, i cila ka sjellë akuza të rënda ndaj një grupi kriminal në krye të të cilit ai thotë të ketë qenë Hashim Thaçi, qëllimi i të cilit ishte përdorimi i milionave te Trustit të Kursimeve për interesa kriminale. Ky rast duhet të hetohet në mënyrë që të ndriçohet deri në fund”, thuhet në komunikatën e Nismës./Insajderi.com