Nisma po punon me deputetë të shumicës për rrëzimin e Qeverisë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Nisma po punon me deputetë të shumicës për rrëzimin e Qeverisë

    Insajderi
    08 April 2017 - 08:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, ka thënë se po punojnë ngushtë individualisht me deputetë të shumicës, për të realizuar idenë e të parit të partisë së tij, Fatmir Limaj, për rrëzimin e Qeverisë së Isa Mustafës përmes mocionit të votëbesimit.

    “Po punojmë ngushtë me deputetët për të arritur numrat e nevojshëm për të realizuar këtë. Nga mesi i javës së ardhshme priten rezultatet konkrete. Ne nuk llogarisim në subjekte politike, por llogarisim në deputetë të mazhorancës por edhe të minoriteteve, sepse mendojmë se është në interes të të gjithëve që t’i jepet një epilog këtij dështimit të kësaj qeverisje”, ka thënë Hoti.

    Ai ka thënë se opozita nuk ka çfarë të fshehë, sepse dihet që nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar vetë Qeverinë.

    “Po ta kishim do ta bënim moti. Por tash edhe deputetë të shumicës janë të bindur se kjo qeveri nuk e ka aftësitë e nevojshme për të marrë vendime në të mirë të vendit”, ka thënë Hoti për gazetametro.

    Insajderi ka kontaktuar të premten edhe me shefen e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, e cila ka konfirmuar se tashmë me disa deputetë të koalicionit PDK-LDK kanë filluar bisedimet rreth kësaj cështje.

    “Ka deputetë të pakënaqur edhe në LDK e PDK. Ne presim që ata të bashkohen, që t’i kemi nënshkrimet e mjaftueshme,” ka thënë ajo.

    “Me disa [deputetë] kemi biseduar, por jo me të gjithë”, ka thënë Bajrami, e cila nuk ka qenë në gjendje të japë më shumë detaje rreth kësaj çështje.

    Nisma për Kosovën është themeluar në vitin 2014, kur liderët e saj kryesorë, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, kishin braktisur PDK-në për shkak të pakënaqësive sipas tyre me mënyrën se si udhëhiqej partia. Por, përkundër kësaj, liderët e kësaj partie në një numër rastesh nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PDK-në.

    Deputetët e Kosovës mund të iniciojnë një votë mosbesimi ndaj qeverisë vetëm pasi që të ketë mbledhur 40 nënshkrime. Pastaj, duhen 61 vota e më shumë që qeveria të mbes pa mandat dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    21 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark