“Ngjarja me trenin ka lënë pas shumë pyetje pa përgjigje”, thotë anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj.
“A ishte nisur ‘treni propagandistik’ i Serbisë me mbërri në Kosovë, apo i ra pishman në gjysmë të rrugës?”, pyet Nitaj. “Nëse po, pse serbët e sajuan videon për minimin e hekurudhës!”, pyet tutje ai.
Policia e Kosovës thotë se pjesa e hekurudhës në Kosovë nuk ishte e minuar, që sipas Nitajt, i bie që serbët e kishin minuar vetë.
“Treni ishte ndalur në Rashkë dhe disa orë më pas, kryeministri i Serbisë tha se ai kishte dhënë urdhër të ndalej treni, sepse ishte minuar hekurudha! Pra pse vet serbët e kishin minuar hekurudhën dhe vet e kishin ndalur trenin?”, shkruan Nitaj në Facebook.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës tha se treni ishte i palicencuar. Nëse ishte kështu, Nitaj thotë se pse pati nevojë të nxirreshin njësitë speciale në kufi, kur një tren i palicencuar mund të ndalej nga policia kufitare.
“Nëse ka qenë më shumë se kaq, pse nuk e thanë publikisht”, shfaq dyshimin ai.
“A ishin dërguar njësitë speciale në kufi pasi që ishte marrë vendimi që treni të kthehej në Beograd, siç po thuhet? Nëse po, pse?”, nxjerrë dilemën Nitaj. “Në gjithë këtë histori, këto njësi, mbeten krenari. Aty mos prek”, shkruan tutje ai.
“Dhe për fund, nëse ngjarja ishte sajuar për luftë propagandistike, kush e sajoi dhe pse? Kush përfitoi. Fraza latine “Cui bono”(kush përfitoi) akoma është një pyetje kyçe në procedurat e hetimit të rasteve të komplikuara në drejtësi! Dhe vërtetë kush përfitoi në këtë histori?”, kërkon përgjigje Muharrem Nitaj./Insajderi.com