Muharrem Nitaj nga kryesia e AAK-së, ka thënë se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u arrestuar me fletarrestim ndërkombëtar të Serbisë me akuzat më monstruoze.
Madje, Nitaj e ka cilësuar këtë fletarrestim sikurse ai i Sllobodan Millosheviqit më 1999, që kërkonte arrestimin e liderëve kryesorë botërorë.
“Autoritetet franceze e kanë ndaluar ish-kryeministrin e vendit, liderin kryesor të Opozitës në Kosovë dhe njërin prej komandantëve kryesor të luftës. E gjithë kjo është bërë në bazë të një fletarresti të Serbisë me akuzat më monstruoze, për të cilat ish-kryeministri Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm prej të gjitha akuzave, nga instanca më e lartë e drejtësisë ndërkombëtare, një fletarresti të ngjashëm me të cilin kërkohej arrestimi edhe i liderëve kryesorë botëror në vitin 1999!”, ka thënë Nitaj.
Autoritetet franceze, sipas Nitajt, e dinë këtë fakt dhe heqja e kësaj barre për Haradinajn është çështje orësh.
“Autoritetet franceze, e dinë këtë fakt dhe heqja e kësaj barre për Zotin Haradinaj është çështje orësh, por kjo çka ka ndodhur me zotin Haradinaj, është alarm i mosfunksionimit të Shtetit të Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare. Zoti Haradinaj ka udhëtuar edhe më parë, disa herë gjatë muajve të fundit, në shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe Francën dhe nuk është ndaluar!”, ka shtuar Nitaj.
“Ndalesa e tij kësaj radhe, edhe pse nuk do të prodhojë asnjë efekt juridik, ajo në rastin më të mirë, është e pajustifikueshme, e pakuptimtë dhe e çuditshme”, ka thënë Nitaj./Insajderi.com