
Përkundër ndasive që kanë me Lëvizjen Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës beson se protesta e tyre e thirrur për 14 maj do të jetë po aq e suksesshme si protestat e tjera të thirrura nga partitë opozitare.
“Nuk kemi asnjë dyshim se qytetarët do t’i përgjigjen ftesës sonë për një protestë të madhe me 14 maj”, ka thënë Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së.
“Po punojmë për këtë dhe jemi të kënaqur me gatishmërinë e elektoratit por edhe të qytetarëve për protestë.”
I pyetur se a ka ndonjë zhvillim sa i përket përafrimit të qëndrimeve mes AAK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Nitaj është shprehur se në mes të partive në fjalë ekzistonin disa dallime vetëm në formë dhe jo në përmbajtje.
Megjithatë sipas tij opozita pa dallim synon vetëm zgjedhje të parakohshme.
“Ne jemi parti opozitare e çmoje veprimin opozitar te secilit, sepse vlerësojmë se e kemi përballë një keqqeverisje, për përmbysjen e së cilës kërkohet energji. I kemi pasur disa dallime me VV-në, në formë por jo në përmbajtje. Synim i opozitës pa dallim, mbetet krijimi i një situate të pashmangshme për zgjedhje të reja”, ka thënë Nitaj për Insajderin.
Por, ai ka konfirmuar se partia e tij dhe Nisma për Kosovën janë duke biseduar për një koalicion parazgjedhor.
“Jemi duke i diskutuar të gjitha format e bashkëpunimit opozitar me Nisma-n, duke përfsëhirë edhe mundësinë e një koalicioni parazgjedhor”, ka thënë ai për Insajderin.
Mospajtimet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë që Qeveria e Kosovës të mbetet e pasfiduar në disa javët e fundit.
Deputetët opozitarë nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës, ndërsa është anuluar edhe një protestë e organizuar nga partitë opozitare.
I pyetur nëse AAK do të bënte koalicion me dy partitë në pushtet, PDK dhe LDK, Nitaj tha se “nuk bëhemi pjesë e kësaj qeverie” duke shtuar se “për faza të mëvonshme, vendimet merren më vonë.”