Ishte data 11 tetor e vitit të kaluar, kur Hysen Durmishi, lavdohej në “Facebook”, se po e jep ‘një lajm të mirë’.
“Ura te liqeni i Badocit po bëhet”, ishte fjalia e parë e zv.ministrit të Infrastrukturës, ku më tutje shpjegonte se sa do të kushtojë, si dhe në çfarë date do të kryhet.
Sot është data 3 korrik e vitit 2024 dhe ura e Badocit nuk është bërë.
Gazeta Insajderi vazhdimisht ka raportuar për vështirësitë e shoferëve të veturave të cilët kalojnë cdo ditë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas.
Mungesa e urës në Badoc është duke ua vështirësuar shumë rrugëtimin në rrugën Gjilan – Prishtinë.
Për më tepër, ndërtimi i urës së re nuk duket fare në horizont.
Derisa, nga ministria e Infrastrukturës po heshtin, qytetarët janë të revoltuar për mungesën e urës së re.
Kontrata për ndërtimin e urës së re në Liqenin e Badocit u nënshkrua me 10 janar të këtij viti.
Këtë projekt Ministria e Infrastrukturës ia dha kompanisë “Dreni Inginiering” dhe kjo kompani ende nuk i kanë filluar punimet.
Adnan Lushtaku, pronar i kompanisë “Dreni Inginiering”, i tha Gazetës Insajderi, se arsyeja pse ende nuk kanë filluar punimet është niveli i madh i ujit në liqen.
Kjo sipas tij ka bërë që mos të kenë mundësi që të kryejnë punime për ta ndërtuar urën e re.
“Niveli i ujit të madh në liqen na ka pamundësuar që të nisin punimet. Kemi tentuar që të bëjmë zgjidhje që të mund të punojmë edhe në atë nivel të ujit, por deri më tani nuk kemi mundur. Një datë të saktë nuk mund ta jap se kur pritet të nisen punimet, sepse nuk mvaret nga ne, është krejt tek cështja e nivelit të ujit”, tha Lushtaku për Gazeta Insajderi.
Me 30 maj të këtij viti, Gazeta Insajderi, pati pyetur zv.ministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, se kur do të fillojnë punimet – ai zotohej se shumë shpejt.
Arsyetohej se është dashur që ta ndryshojnë projektin.
“Na është dashur që ta ndryshojmë komplet projektin. Kjo për shkak që niveli i ujit të liqenit na ka pamundësuar që të punojmë në projektin e kaluar. Kështu që tashmë projekti i ri ka përfunduar dhe shumë shpejt do të nisin edhe punimet për ndërtimin e saj. Që nga dita kur të nis ndërtimi, kompania do t’i ketë 135 ditë pune afat për ta përfunduar atë”, pati thënë për Gazeta Insajderi, zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Në videon e mëposhtme mund të shihni se sa e vështirë është rrugëtimi nga Prishtina për në Gjilan dhe anastjellas.